Aktualitet

Rama nga Asambleja e OKB bën thirrje për njohjen e Kosovës: Nuk është një obsesion

Rama nga Asambleja e OKB bën thirrje për njohjen e Kosovës: Nuk

Nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për njohjen e Kosovës si shtet të Pavarur. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Asambleja nuk është dhe nuk do të jetë e plotë pa njërin nga Shtetet e rajonit tonë, Republikën e Kosovës: Nuk është një obsesion, as nuk e përmend vetëm për t'i kushtuar vëmendje kauzës. Është një ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, përmes rajonit të Ballkanit ku lindi një shtet i ri me ndihmën e një bashkësie ndërkombëtare të angazhuar për çështjen e lirisë, të drejtave të njeriut dhe vetëvendosjes. Por ajo punë duhet të përfundojë, tha ai.

Pjesë nga deklarata e kryeministrit Rama:

Historia e Kombeve të Bashkuara është një zgjerim i pandërprerë. Filloi me 50 anëtarë në San Francisko dhe ne tani jemi 193. Por prapë kjo Asamble e madhe nuk është dhe nuk do të jetë e plotë pa njërin nga Shtetet e rajonit tonë, Republikën e Kosovës.
Më keni dëgjuar më shumë se një herë këtu duke bërë thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nuk është një obsesion, as nuk e përmend vetëm për t'i kushtuar vëmendje kauzës. Është një ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, përmes rajonit të Ballkanit ku lindi një shtet i ri me ndihmën e një bashkësie ndërkombëtare të angazhuar për çështjen e lirisë, të drejtave të njeriut dhe vetëvendosjes. Por ajo punë duhet të përfundojë.

Unë dua ta përsëris këtë thirrje dhe ta bëj këtë sepse realiteti na ka treguar neve, shqiptarëve të Kosovës, serbëve, të gjithë njerëzve të Ballkanit, evropianëve dhe të gjithëve kudo që duan ta shohin, se një Kosovë e pavarur - realiteti tashmë 13-vjeçar ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajon, ka kontribuar për të ecur përpara nga e kaluara e hidhur dhe është pa dyshim pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mbështet si alternativën e vetme dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të çojë në njohjen reciproke midis dy shteteve, dy fqinjëve.

Çdo ditë pa një marrëveshje të tillë është një ditë e humbur, një ditë e vjedhur për të rinjtë në të dy vendet, një ditë e hequr nga e ardhmja e përbashkët. E them në mënyrë miqësore, por me bindje absolute: vetëm mençuria, guximi dhe vizioni do ta çlirojnë përfundimisht Serbinë nga barra e së kaluarës së saj.

*Tiranapost.al.