Aktualitet

Rama: Ky është sezoni turistik më i mirë dhe disiplinimi i mjeteve lundruese nuk është fjalë goje

Rama: Ky është sezoni turistik më i mirë dhe disiplinimi i

Në një status të gjatë në Twitter, kryeministri Rama ka reaguar edhe njëherë për ngjarjen e rëndë që ndodhi në plazhin e Potamit dje. Rama thotë se ky ka qenë sezoni më i organizuar turistik, por menaxhimi i mjeteve të ujit është një sfidë më vete, si një risi e turizmit në Shqipëri.

“Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!

Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s'ekzistonin!

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor,janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!”, tha Rama.

Ditën e djeshme, rreth orës 14:00 një skaf drejtuar nga një Komisar goditi për vdekje në breg një 7-vjeçare pasi humbi kontrollin e mjetit.

Gledis Nano njoftoi shkarkimin e komisarit Arjan Tase që shkaktoi aksidentin fatal.

Pak orë më vona shkarkoi gjithë zinxhirin e drejtimit dhe kontrollit të vijës ujore.