Aktualitet

Rama: Këto ditë miratohet vendimi për hapjen e basteve online

Rama: Këto ditë miratohet vendimi për hapjen e basteve online

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve shqiptarë, të cilët kanë përfaqësuar vendin në peshëngritje, ski, mundje, boks, bilardo e bodybuilding.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se këto ditë do të miratohet vendimi për hapjen e basteve online dhe se të ardhurat nga ky aktivitet do të shkojnë për sportin, kulturën dhe teknologjinë.

"Tjetra është që së shpejti do kalojmë në miratim, këto ditë do fusim në agjendë miratimin e basteve online. Ne, siç tregon eksperienca nuk kemi mundur ta ndalim, njëjtë si vendet e tjera nuk e kanë bërë. Në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon paraja e zezë, të jetë një aktivitet ku do futen kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe të ketë garanci për lojtarët.

Të gjitha të ardhurat, sipas ligjit do i kalojnë sportit dhe teknologjisë. Në ligj e kemi bërë të qartë që këto para, do jenë të fokusuara vetëm në këtë pjesë dhe nuk do ndryshohet destinacioni.

Do kemi një bord kombëtar mbikëqyrës, kreu i KOKSH, ai i FSHF-së etj, do jenë aty për të bërë ndarjen e të ardhurave për sportin dhe kulturën. Fondi është i konsiderueshëm, kjo sipas parashikimeve. Lëvizja sportive nga poshtë, me të gjitha federatat do ketë rritje. Jemi fokusuar te basketbolli dhe volejbolli për meshkuj dhe femra", u shpreh kryeministri.