Aktualitet

Rama e quan raportin e Dick Marty-t dështim ndërkombëtar dhe flet para Kombeve të Bashkuara për arrestimin pa padi të Hashim Thaçit

Rama e quan raportin e Dick Marty-t dështim ndërkombëtar dhe flet

Në fjalën e tij para Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama kujtoi raportin e Dick Marty-t, ku akuzohej Kosova si vend që merrej me trafikimin e organeve. Rama e konsideroi dështim ndërkombëtar raportin, që u miratua në atë kohë nga Këshilli i Europës dhe pas shumë vitesh investigim, nuk u gjet asnjë provë për ta vërtetuar.

Ndër të tjera, Rama kujtoi edhe arrestimin e Hashim Thaçit, nga po të njëjtat dhoma gjykate.

"Shqipëria është anëtare e Ballkanit, një pjesë e Europës që ka pasur pjesën e saj të historisë shumë të trazuar. Sa përmendet fjala Ballkan vë bast që në mendjen e gjithkujt vijnë imazhet e luftërave të përgjakshme, të krimeve mizore. Do të kujtoni me të drejtë vragat e shtypjes, të represionit në Srebrenicë dhe të spastrimit mizor etnik në Kosovë. Asgjë nga këto nuk është dhe nuk do të harrohet. Llogaridhënia është e pranishme dhe do të vazhdojë. Duhet të dyfishojmë përpjekjet të ndjekë rrugën e saj e papenguar. Kjo kërkon angazhim me vendosmëri dhe bashkëpunim midis palëve.

Drejtësia shërbehet me fakte dhe të dhëna dhe jo me trille apo realitet të shtrembëruar. Nuk mund të mos ndaj me ju një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë mësim për të gjithë botën. Në vitin 2011 Asambleja Parlamentare e KE-së miratoi një raport përpiluar nga një paramentar i zellshëm i cili mban emrin Dick Marty, në të cilin akuzohet UÇK për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Zoti Marty duhet të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshilit të Europës. Raporti i tij ishte tronditës, jo vetëm shumë asaj kohe i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovën. U bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar. Rasti i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve të gjata për të vërtetuar këto akuza, por më kot. Asnjë grim prove apo treguesi, nuk u gjet askund, në Kosovë apo diku tjetër që kishte të bënte me Kosovën. E ndërkohë që flasim, dhomat e ndërtuara për Kosovën, kanë arrestuar pa padi presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai priti një vit, derisa u akuzua zyrtarisht. Imagjinoni për një moment, sikur presidenti apo kryeministri i vendit tuaj që merret nga zyra, çohet në një vend të tretë, që mbahet i ndaluar për një vit të tërë, nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga një komunitet vendesh demokratike. Asnjë fjalë e vetme e gjithë aktakuzës që vijoi, nuk ka të bëjë me raportin e KE, për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë. Ky është dështim monumental ndërkombëtar. Ne nuk do të ndalemi së nderuari ata që dhanë jetën për të mbrojtur vendin. Askush s`mund të hedhë baltë mbi ta", tha Rama.