Aktualitet

Punë ka, në Universitetin Metropolitan gjen dhe profesionistë

Punë ka, në Universitetin Metropolitan gjen dhe profesionistë

Falë traditës së Panairit të Punës dhe Karrierës në Universitetin Metropolitan Tirana, studentëve nuk u duhet të presin deri në mbarim të studimeve për t'u integruar në tregun të punës.

I konceptuar që në krye të herës si një universitet i fokusuar tek ato profesione që tregut të punës i mungojnë, UMT garanton edhe krijimin e urave lidhëse mes botës akademike dhe praktikave apo mundësi punësimi për studentët.
45 kompani dhe institucione iu ofruan gjatë panairit studentëve të ciklit bachelor ose master mundësinë për t'iu bashkuar atyre si brand ambassador, intern, ose të punësuar me kohë të plotë.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT, Prof. Dr. Ligor Nikolla duke falenderuar të gjithë kompanitë pjesëmarrëse, u shpreh se është në vizionin e UMT punësimi i studentëve që gjatë periudhës së studimeve. Kjo falë edhe programeve që ofrohen nga shkencat kompjuterike, tek inxhinieria, arkitektura dhe degët ekonomike.

Punë ka, në Universitetin Metropolitan gjen dhe profesionistë

“Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për ne si universitet, sepse krijojmë mundësinë e praktikave mësimorë për studentët tanë, por edhe për stafin tonë sepse duke krijuar kontakte me biznesin përditësojmë vazhdimisht kurrikulat dhe njohuritë që u përçohen studentëve”, tha gjatë fjalës së tij profesor Ligor Nikolla.

Ai u shpreh se vazhdimësia e këtij eventi të përvitshëm dhe numri i kompanive të shtuara, janë prova më e mirë që kompanitë gjejnë në UMT studentë që u përgjigjen plotësisht kërkesave të tyre.

Dy shembuj suksesi janë Alesia Dishi, studente e vitit të dytë të degës së arktitekturës që i është bashkuar si intern kompanisë “Impuls Architecture”, apo alumni Endri Nasufi që është themelues i kompanisë "Concept Marketing".

Pjesëmarrës në këtë panair ishin kompani dhe institucione nga sektori bankar, sektori i telekomunikacionit, kompanitë e projektimit arkitektonik dhe ndërtimit, nga tregu i sigurimeve si edhe organizata ndërkombëtare si UNICEF dhe Eu For Innovation.

Në vazhdim të punës për të forcuar rolin e tij në inovacion dhe sipërmarrje, Universiteti Metropolitan Tirana inkurajon studentët t'i shndërrojnë idetë e tyre në startupe dhe biznese duke mbështetur aftësitë e tyre. UMT vjen me një ofertë unike akademike në vend, me studime bachelor, profesionale dhe master në shkenca kompjuterike, inxhinieri ndërtimi, arkitekturë dhe ekonomi.