Aktualitet

Për 21 Janarin nga kryeministria flet Elisa Spiropali: Dje u publikua një audio e re për drejtësinë

Për 21 Janarin nga kryeministria flet Elisa Spiropali: Dje u publikua

Një thirrje indirekte për SPAK, mund të lexohet deklarata e mbajtur nga ministrja Elisa Spiropali sot në 21 janar, 12 vite pas protestës ku u vranë nga kryeministria protestuesit Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.

Spiropali iu referua audios që u u publikua dje në disa media ku urdhërohej që çdo protestues që do të shkelte gardhin e kryeministrisë duhej të qëllohej.

Fjala e Spiropalit:

"E dinë të gjithë që në 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, po vrasje shtetërore. Por publikimi dje i transkriptit të një audioje ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit të kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë.

Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur në 21 janar.

Nuk jam këtu për të bërë politikë sot, në ditën e homazheve që sot do të bëhen me një dritëz të re shprese se drejtësia e re do të hapë menjëherë hetimin e çështjes.

Jam këtu për të thënë se ne nuk kemi hequr e nuk do të heqim dorë kurrë nga drejtësia për 21 janarin, por drejtësinë e kërkojmë nga drejtësia. Sot edhe më shumë sepse ato zëra nga shpella e vrasjeve të asaj dite tragjike, flasin vetë edhe më shumë se sa të gjitha fjalët tona."

Familjarët e tyre nuk kanë reshtur së kërkuari drejtësinë e munguar. Çdo 21 janar mbahen homazhet me shpresën për të dënuar fajtorët.