Protesta në të gjithë Shqipërinë kundër rritjes së çmimeve!

Pothuejse në të gjithë vendin qytetarët janë ngritur në protesta për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe të ushqimeve bazë.

Në Tiranë, me pankarta në duar qytetarët po protestojnë sërish sot para kryeministrisë, duke kërkuar zbutjen e çmimeve.
Mes thirrjeve qytetarët shprehen se ndodhen në protestë, jo për karrige, por për bukën dhe për naftën.

Në Mirditë protestuesit kanë bllokuar Rrugën e Kombit dhe refuzojnë të largohen pavarësisht thirrjeve të policëve, raportojnë mediat.

Në Durrës qytetarët janë grumbulluar në rrugën kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit, duke bllokuar qarkullimin.

Në Lushnjë qytetarët kanë bllokuar qarkullimin në rrethrrotullimin e Plukut, ndërsa në Prrenjas protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën kryesore Prrenjas-Qaf Thanë.

Në Korçë më të shumtët e protestuesve janë fermerë të cilët preken në mënyrë direkte nga rritja e çmimit të naftës.