Aktualitet

Prokurorja e Tiranës tërhiqet nga kandidimi në SPAK

Prokurorja e Tiranës tërhiqet nga kandidimi në SPAK

Elisabeta Imeraj e emëruar në krye të prokurorisë së Tiranës është tërhequr nga kandidimi për në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsionit.

Sipas burimeve për BallkanWeb, Imeraj ka zgjedhur që të qëndrojë në krye të Prokurorisë së Tiranës. Ajo i ka dërguar Këshillit të lartë të Prokurorisë një ditë më parë, dorëheqjen si prokurore e SPAK përmes një emaili. Në rast se ajo do të emërohej prokurore në SPAK do të duhej të largohej nga drejtimi i prokurorisë së Tiranës.

Ajo është sulmuar edhe nga kreu i PD Lulzim Basha i cili ka thënë në emision se është ikonë e krimit dhe korrupsionit.

Në përgjigje të deklaratave të kreut të PD-së i cili i referohej konfirmimit të saj në detyrë nga Vettingu dhe sipas tij një ankese nga ONM për të rishikuar vendimin, drejtuesja e prokurorisë së Tiranës ju përgjigj publikisht Bashës.

Përmes një mesazhi dërguar në telefonin e gazetarit Sokol Balla, ku Basha ishte në intervistë, Imeraj paralajmëroi se ky ishte një sulm personal ndaj saj, një shantazh dhe se do i drejtohej gjykatës për presion.

Elisabeta Imeraj është prokurorja e çështjes së lobimit rus të Bashës dhe që kërkoi që Basha të shoqërohej me forcë për të dhënë deklarimet e tij pranë prokurorisë.

Elisabeta Imeraj përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi për 13 vite si prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në gusht 2018, ajo u komandua si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kishte kandiduar për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Kliko këtu për skedën e pasurisë.

*Tiranapost.al.