Aktualitet

Prefekti i Kukësit refuzon heqjen e titullit 'Qytetar Nderi' për Veton Surroin

Prefekti i Kukësit refuzon heqjen e titullit 'Qytetar Nderi'

Ngjalli jo pak debat lajmi se Veton Surroit i hiqet titulli 'Qytetar Nderi' në Kukës. Por sot, prefekti i Qarkut ka refuzuar, duke rrëzuar kështu vendimin e Këshillit Bashkiak të Kukësit për publicistin dhe analistin e njohur nga Kosova. Titullin Qytetar Nderi në Kukës, Surroi e mbante që prej vitit 2015.

Kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici e ka justifikuar vendimin se Veton Surroit iu hoq titulli për shkak të fushatës së tij mediatike dhe politike, të pretenduar kundër UÇK-së.

Ndërsa vetë publicisti, në një intervistë të disa ditëve më parë ka thënë se vendimi i ngjason gjyqeve politike duke kujtuar se gjykime të tilla në këtë qark kanë pasur dhe pasoja të hidhura, por që për fatin e tij të mirë tashmë nuk jetojmë më në atë sistem totalitar pasi pasojat do të diheshin.

“Ishte e pa këndshme, por është një lajm në zhvillim dhe pas vendimit pashë që kryetari i bashkisë kërkoi falje. Nuk e di se ku gjendet dhe ku do të gjendet pas një orë kjo punë. Ishte pakëndshme dhe forma se si u veprua, u zhvillua një lloj gjyqi politik në të cilin më la mbresë formulimi “le ta shkarkojmë tash, format do t’i marrim më vonë. I ngjasonte pak gjykimeve politike dhe gjykimet politike në Kukës dhe për fat të keq ato kanë pasur pasoja të këqija në kohën e komunizmit. Fati i mirë është që jemi në një sistem tjetër se për ndryshe kjo punë përfundonte edhe më keq”, deklaroi Surroi për Euronews.

I pyetur se tek cilat qëndrime bazohej një vendim i tillë nga Këshilli i Qarkut të Kukësit, ai tha se është një gjykim politik dhe sipas tij bazohet në emocion dhe jo në prova.

“U lajmërova nga miqtë e mi në Kukës që më shprehën keqardhje dhe nga kolegët e mi në Shqipëri që kërkonin një konfirmim nga unë ndërkohë që nuk dija asgjë për këtë lajm. Nuk shoh ku është inspirimi dhe prej nga është inspirimi, nuk e di për cilat dosje dhe për çfarë është fjala.

Dokumenti që është prezantuar nga Gjici, kryetari i bashkisë thoshte se kishe të bënte me iniciativën e dy intelektualëve që për fat të keq nuk i njoh dhe nuk e di se çfarë provash kanë paraqitur ata intelektualët dhe çfarë për Gjici është provë.

Ky veprim i gjykimit politik me thënë të drejtën siç do gjykim politik tjetër bazohet në emocion dhe reagim dhe veprim shkatërrues dhe në mbledhje të ndonjë prove apo vendimi. Fundi fundit se çfarë mendoj unë nuk është ndonjë sekret pasi shkruaj libra dhe shkruaj në gazetë”, u shpreh publicisti.

“As nuk kam nevojë të kërkoj dhe kush fshihet apo pse fshihet pas këtij vendimi. Kryetari i bashkisë tha se kishte një vendim pas kërkesës së dy intelektualëve. Pastaj tha për një letër të 57 familjeve. Me thënë të drejtën këto veprime nuk i bëjnë nder kryetarit të bashkisë”, përfundoi publicisti.

*Tiranapost.al.