Aktualitet

Porti i Durrësit me sistem të fortë monitorimi dhe sigurie

Porti i Durrësit me sistem të fortë monitorimi dhe sigurie

Në Portin e Durrësit është në prag finalizmi ngritja e sallës së re të Monitorimit dhe Komandimit të Sistemeve të Sigurisë. Do të shërbejë për të mbikëqyrur hapësirat portuale, regjimin e hyrje-daljeve dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Pjesë e saj do të jenë punonjës të Forcës së Sigurisë Portuale, Policisë së Kufirit, Doganës dhe Kapitenerisë, me qëllim bashkërendimin e punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Në inspektimin e ambienteve të sallës ishin ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, si dhe përfaqësues nga Dogana.

Porti i Durrësit me sistem të fortë monitorimi dhe sigurie

Drejtori Pirro Vëngu tha:

“Është një sallë e cila integron të gjitha sistemet e sigurisë që disponojmë aktualisht dhe që janë ndërtuar ndër vite. Kemi kamera të reja inteligjente. Në vijim do kemi dhe sisteme alertimi të cilat po testohen aktualisht dhe po kalibrohen për çdo lëvizje, qofshin këmbësorësh, qofshin edhe mjete lundruese. Pra kemi një monitorim edhe të basenit edhe të aspekteve të terminaleve në tokë. Kemi ndërtuar edhe një sistem të ri përsa i përket regjimit të hyrje-daljeve. Deri më sot nuk kishim një pamje të qartë të fluksit të operatorëve portual, të pasagjerëve dhe të gjithë njerëzve që vijnë dhe punojnë dhe operojnë çdo ditë në port. Tani e kemi një sistem të tillë dhe mbi këtë sistem mund të marrim dhe vendime administrative apo menaxheriale që lidhen me shërbimet që ofrojmë”

Drejtori i Kufirit dhe Migracionit Eduart Merkaj tha se ngritja e kësaj salle “ishte shumë e nevojshme pasi shkëmbimi i informacionit mes agjencive ligjzbatuese në këtë moment është ai që ne na duhet më shumë. Kjo do jetë rruga më e shkurtër, për të shkëmbyer informacion apo për t’a marrë atë në kohë rekord”.

Ministrja Balluku tha:

“Qendrat e integruara janë shumë të rëndësishme për ne. Ne po punojmë njëkohësisht edhe me Autoritetin Rrugor dhe Drejtorinë e Transportit si dhe Policinë e Shtetit për të krijuar një qendër të monitorimit të trafikut rrugor, që është shumë e nevojshme. E kanë të gjitha vendet e përparuara dhe Shqipëria në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duhet t’i plotësojë këto kushte. Porti i Durrësit po bëhet një shembull i mirë, duke pasur të gjithë kontrollin e territorit edhe me shpresë të realizojmë edhe planin tonë të madh për kontrollin detar me anë të radarëve dhe për të pasur një menaxhim të trafikut detar ashtu siç bëjmë me atë ajror, pra sipas parametrave dhe të gjitha kërkesave”.