Aktualitet

Policia e Kosovës: Tre policë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit

Policia e Kosovës: Tre policë dyshohet se janë rrëmbyer nga

Policia e Kosovës ka njoftuar alarmin se tre efektivë dyshohet të jenë rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të vendit. Sipas policisë, rrëmbimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Tre policët ishin në detyrë në këtë pikë statike, ndërsa ata kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur disa persona të maskuar dhe armatosur.

Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur makina e efektivëve, e braktiusur. Pala e Kosovës ka lajmëruar menjëherë organizmat ndërkombëtarë, për këtë ngjarje të rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe.

Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Reagimi i kryeministrit Kurti:

Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.

Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.

Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.