Pezullohen nga detyra dy prokurorët të akuzuar për korrupsion

Edmond Karriqi dhe Maksim Sota janë dy prokurorët e pezulluar nga detyra me shumicë votash nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për shkak të akuzave për korrupsion.
Prokurori i Vlorës Maksim Sota i cili doli tek përgjimet pas operacionit Shpirti nga SPAK dhe DEA ndodhet në masën 'arrest në shtëpi'.
Për çfarë akuzohet?
Maksim Sot akuzohet për shpërdorim detyre. Në dosjen mbi operacionin shpirti ku janë arrestuar 18 persona dhe disa të tjerë të shpallur në kërkim, thuhet se një prej drejtuesve të grupit kriminal Ilirjan Duçellari kishte lidhje me prokurorin dhe se ky i fundit i kishte gjetur një shtëpi me qira. Detajin e ka treguar një prej të arrestuarve Mariglen Shusha i cili pretendon se ka jetuar në një shtëpi me prokurorin Sotan dhe se ky i fundit ishte në dijeni të trafikut të drogës dhe rrjetit kriminal.
Mbi bazën e këtyre dëshmive, u krijua dyshimi për "infiltrimin e gupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale", thuhet në dosjen që ka rënë në duart në mediave.

VENDIMI i KLP:
Prokurori Sota, i cili ndodhet në masën “arrest shtëpie”, u arrestua pas operacionit ndërkombtar “Shpirti”, që u shtri në disa shtete, ndërkohë që ai akuzohet për veprën penale ‘shpërdorim detyre’. Në dosjen e Prokurorisë, janë përgjimet e grupeve kriminale, si dhe dëshmitë e të penduarve të drejtësisë, të cilët kanë rrëfyer para autoriteteve italiane fakte e prova që kompromentojnë dhe implimentojnë në veprimtari kriminale prokurorin Maksim Sota.
Donjol Drolli, i cili mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, u shpreh se kreu i grupit kriminal, Ilirjan Ducellari, ku ai bënte pjesë, i kishte siguruar shtëpi me qira prokurorit Sota jashtë Shqipërisë, ku ai qëndronte me bashkëshorten dhe fëmijët.
Sipas tij, prokurori kishte dijeni që Ilirjan Ducellari (Zaimi) ishte i përfshirë në trafik droge dhe pavarësisht kësaj ai ka qëndruar në këtë banesë.
Ndërsa prokurori i Kukësit Edmond Karriqi ndodhet në masën e arrestit me burg.
Për çfarë akuzohet?
Prokurori akuzohet si i përfshirë në korrupsion pasiv. Ai akuzohet se merrte para për të favorizuar persona në hetim. Prokurori ishte prej kohësh në përgjim nga SPAK dhe u kap teksa i kërkoi vëllait të një dënuari shumën e 2 mijë eurove për të ulur dënimin. Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë një operacioni të policisë dhe gjatë kohës teksa ai ndodhej në qendër të qytetit të Kavajës. Edhe shoferi i prokurorit thuhet të ketë përfunduar në pranga.


Ndaj vendimeve të KLP-së, sy prokurorët kanë të drejtë të bëjnë ankimin në Gjykatën Administrative të Apelit.
*Tiranapost.al.