Aktualitet

Përurohen banesat në Laç/ Rama: Presidenti turk është nga ata njerëz që bën atë që thotë dhe thotë atë që bën

Përurohen banesat në Laç/ Rama: Presidenti turk është

Presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama ishin të pranishëm në Laç për përurimin e 524 apartamenteve të ndërtuara nga qeveria turke pas tërmetit të vitit 2019.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama tregoi se si ishte njohur për herë të parë me presidentin Erdogan dhe tha që ishte krenar që sot ta kishte një mik shumë të mirë. Rama tha që kishte besuar gjithmonë që presidenti turk do ta mbante fjalën e dhënë për rindërtimet, pasi është nga ata njerëz që bën atë që thotë dhe thotë atë që bën.

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e veçantë…dua të flas sa më shkurt se sot të gjithë duan të dëgjojnë mikun e madh të Shqipërisë dhe kam nderin të them mikun tim të vyer Erdogan.

Sot dua të tregoj një episod që s’do ta harroj kurrë nga takimi im i parë me presidentin, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë. Unë isha i ndrojtur, sepse e kisha parë vetëm nga larg nga televizori, dhe siç e keni parë nuk duket i qeshur nga ekrani.

Të them të drejtën kur u takuam dhe u ulëm ballë për ballë shikonte, por nuk buzëqeshte, dhe unë akoma nuk isha bërë kryeministër.

'Dëgjo këtu,' më thotë ‘Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time, shqiptarët janë në zemrën e popullit turk. Unë dëshiroj që ti të jesh vëllai im, unë do të të them vëlla kur ti si kryeministër të meritosh respektin e popullit tënd.’

Historinë më pas e dini thuajse të gjithë, dhe unë jam krenar që mund ta quaj veten miku i presidentit Erdogan. Madje një gazetare gjermane para ca kohësh më pyeti në një konferencë: ‘Vërtetë jeni miku i presidentit Erdogan?’ Jo i thashë nuk e kam mik, e kam shumë mik.

E kam frikë këtë përkthyesin se nuk e di si më kthen fjalët në turqisht… por nuk kam rrugë tjetër duhet ti besoj sepse jam në një moshë të thyer për të mësuar turqisht tani.

Por dua të them dhe diçka. Kam vite që kam privilegjin të jem në detyrë dhe kam pasur mundësinë t’i takoj të gjithë burrat e mëdhenj të shtetit, për shkak të detyrës dhe me të vërtetë të gjithë janë kuriozë se si ka lindur kjo miqësi e madhe, dhe priren ta shohin këtë si çështje konspiracioni.

Jo Turqia otomane, jo xhamia… është një përgjigje shumë e thjeshtë: presidenti Erdogan bën atë që thotë dhe thotë atë që bën.

Dhe më besoni nuk është e lehtë në botën dhe diplomacinë e sotme që po-në e kanë po dhe jo-së i thonë jo.

Kjo është arsyeja pse unë tani rikujtova këto episode, sepse ja ku jemi sot. Këtu është prova e të gjithë fjalëve të bukura. Këtu mund të shikohet çfarë do të thotë Erdogan kur thotë 'Shqipërinë e kam në zemër, dhe çfarë i dhemb asaj më dhemb dhe mua'.

Mustafa Kemal Ataturk mbolli në shpirtin e Turqisë moderne besimin se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo shtet është pjesë e atij trupi. Ai tha që nuk mund të thuhet kurrë që ç ‘rëndësi ka nëse një pjesë e trupit është e sëmurë, përsa kohë jemi vetë mirë. Nëse një pjesë e këtij trupi është i sëmurë duhet të shqetësohemi sikur të jemi vetë të sëmurë.

Këtë mënyrë mendimi Erdogan e ka rrënjosur fort në popullin turk dhe në mënyrën si i sheh popujt e tjerë.

Premtova që nuk do flas shumë, por në këtë pikë jam siç thonë kundërshtarët e mi.

Do ta mbyll duke thënë edhe këtë: gjatë kohës që po punonim me ministrin e ngarkuar për punimet, Muratin, në Turqi ra një tërmet. Të gjithë këtu u alarmuan, se i ra tërmeti në shtëpi dhe do të na harronte ne këtu.

Unë thashë i bindur që kjo nuk do të ndodhë, jo vetëm sepse Turqia i ka mundësitë që ti bëjë njëkohësisht të dyja, por edhe nëse nuk do ti kishte mundësitë presidenti nuk do ti linte punët këtu që të mbaronte punët atje.

Sepse e përsëris dhe kjo është e rëndësishme për mua: presidenti Erdogan jo vetëm që e bën dhe e thotë, por e beson fjalën e profetit Muhamed që e do vëllanë.” u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.