Aktualitet

Përplasje mes Komunitetit LGBTI dhe pastorit Akil Pano

Përplasje mes Komunitetit LGBTI dhe pastorit Akil Pano

Ka nisur një përplasje publike mes pastorit Akil Pano dhe komunitetit LGBTI. Historia nis që prej debatit publik kur në Britani dy prindër refuzuan të quheshin “nënë” dhe “baba”, por “prindi 1” dhe “prindi 2”.

Xheni Karaj një prej anëtareve të komunitetit u përfshi në një debat në një studio televizive me një psikologe lidhur me ndryshimin e termave dhe çështja u bë virale. Studio të tjera trajtuan temën dhe një prej tyre ajo e “Shqipëria Live” ku pastori Akil Pano tha:

“LGBTIQ+ ka axhendë agresive; synohet dekonstruksioni i qelizës bazë-familjes; deri më tani unë kurrë nuk i kam parë homoseksualin ose lesbiken si njerëz të sëmurë, madje kam luftuar me konceptin që të qenurit gej është sëmundje, por ndërsa shikoj një avancim të gjendjes së komunitetit LGBT në botë, përmes një propozimi për një eskperiment social për të gjithë shoqërinë, unë sot po deklaroj se këta individë dhe ky komunitet, këto nisma janë nisma që vijnë nga një komunitet i sëmurë; këta njerëz janë kaq agresivë sa t`u heqin fëmijëve të drejtën që ata vetë kanë patur; si do ishte ishulli i gejve dhe lesbikeve pas 50 viteve?; këto teza dekonstruktojnë familjen, martesën, prokrijimin, jetën dhe shoqërinë; kush janë këta njerëz që kërkojnë të heqin fjalën nënë nga fjalori?; egoizmi i tyre është i sëmurë; ç`është ky univers pa rregulla, ligje dhe konvencione; familja krijohet me një nënë dhe një baba dhe jo me dy gra që nuk dinë se kush janë apo me dy burra që nuk dinë se kush janë; mëkati dhe korrupsioni moral lidhet me të qenin gej dhe lesbike sepse është shtrembërim i imazhit të qenies njerëzore; këto ide të çuditshme shkojnë deri në çmenduri…”


Nisur nga kjo deklaratë, komuniteti LGBTI ngriti një padi. Sipas tyre, deklarata të tilla të bëra nga njerëz me ndikim publik nxitin gjuhën e urrejtjes.

“Në faqen e vet në facebook, idhtarët e kishës së pastorit që duhet të ishte një institucion fetar ku promovohet dashuria për njeriun, në mënyrë të përsëritur fyejnë dhe bëjnë thirrje për urrejtje ndaj komunitetit LGBTI+, duke u larguar kështu nga fryma disa shekullore e feve në Shqipëri që nuk i fryjnë asnjë zjarri përjashtues. Komentet janë fyese. Mes të tjerave ai i një ndjekëseje të pastorit i quante anëtarët e komunitetit djem e vajza shqiptarësh, ‘’kopila’’ që i kanë lënë nënat nëpër spitale. Ky dhe qindra komente të tjera në postimet individuale të Akilit janë pasojë direkte e gjuhës diskriminuese dhe frymëzimit që ngjall pastori i urrejtjes në publikun që e ndjek”, shkruan komunitetit LGBTI në një komunikatë për shtyp.

Ndërkaq dje u zhvillua seanca e parë dhe pas saj pastori Pano doli në një video live ku e quajti këtë situatë “të stisur”.

“Ndryshimet ligjore të kërkuara nga komuniteti LGBT prekin bazat e një familje të shëndetshme. Unë jam pjesë e një grupi tjetër me psikologë dhe ne jemi denoncuar me pretekstin se kemi përdorur gjuhë diskriminuese ndaj anëtarëve të këtij komuniteti. Duket qartë që kjo është diçka e planifikuar dhe e stisur pasi janë shkëputur fjalë nga ato që ne kemi thënë dhe u është dhënë nocion tjetër. Këtyre nocioneve u janë vendosur interpretime të reja. Ne kemi kërkuar që seanca dëgjimore të jetë publike, por kjo gjë na u mohua. Është kërkuar që vetëm një person nga ana jonë të jetë në seancë. Pra vetëm unë, apo avokati im të jemi në seancë. Kështu që zgjodha të jem vetëm unë. Nocionet babai dhe mami nuk duhen ndryshuar, shiko se cfarë po ndodh. Unë kam qënë kundër tyre në ndryshimin e këtyre kërkesave”, u shpreh pastori pas seancës.

Kurse pas asaj dalje, në komunikatën e LGBTI shkruhet:

“Në daljen publike të datës 02.09.2021, Z. Akil Pano na akuzoi se kishim ndërtuar një ankesë për diskriminim dhe gjuhë urrejtjeje ndaj tij mbi deklarata të nxjerra nga konteksti. Në fakt, ankesa jonë bazohet vetëm në fakte të njohura publikisht, lehtësisht të verifikueshme dhe në argumente të mbështetura në ligj.

Në deklaratën e djeshme për mediat, pastori Akil Pano flet edhe për kufizimin e lirisë së tij të shprehjes si qytetar i një shoqërie demokratike. Dëshirojmë t`i rikujtojmë pastorit dhe publikut të gjerë një parim të thjeshtë juridik: “Liria e shprehjes nuk gëzon asnjë mbrojtje ligjore nëse cënon, fyen, denigron dhe nxit moskuptim e urrejtje ndaj një apo disa individëve të tjerë”. Ky qëndrim reflektohet në ligjin shqiptar e ndërkombëtar, në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (instrument i ratifikuar nga shteti Shqiptar, me fuqi kushtetuese sa i përket nivelit të kufizimeve që vendos) dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është shprehur, se përdorimi i gjuhës diskriminuese, më pak favorizuese dhe gjuhës së urrejtjes nga persona që janë pjesë e jetës publike nuk mund të konsiderohet si liri shprehjeje”.