Aktualitet

Pas urdhër-arrestit nga Gjykata e Hagës, Putin vizitë të papritur në Mariupol

Pas urdhër-arrestit nga Gjykata e Hagës, Putin vizitë të

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një vizitë të papritur në Mariupol të Ukrainës. Për këtë vizitë është publikuar edhe një video në të cilën Putin shfaqet duke i dhënë vetë makinës. Putin vizitoi gjithashtu edhe Krimenë në përvjetorin e nëntë të aneksimit të saj.

Kremlini zyrtar deklaroi se vizita e presidentit rus në qytetin port të Mariupolit ishte spontane dhe për arsye pune.

“Fillimisht, planet ishin vetëm për të vizituar kompleksin rezidencial në Mariupol. As komunikimi me banorët, as vizita në banesë nuk ishte planifikuar, ishte absolutisht spontane”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Zyrtarët e qytetit ukrainas thanë se Putin e kishte vizituar Mariupolin natën në mënyrë që të mos e shihte qytetin e shkatërruar ditën.

“Krimineli ndërkombëtar Putin vizitoi qytetin e pushtuar të Mariupolit gjatë natës ndoshta për të mos parë në dritën e ditës qytetin që u vra nga “çlirimi” i tij”, shkroi Këshilli Bashkiak në Telegram.

Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi se Putini vizitoi Mariupolin e shkatërruar natën si një hajdut.

“Kriminelët kthehen gjithmonë në skenën e krimeve të tyre… Vrasësi i mijëra familjeve të Mariupolit erdhi për të parë rrënojat e qytetit dhe varret e tij. Cinizëm dhe mungesë pendimi”, shkroi këshilltari i presidentit Zelensky, Mihailo Podoliak në Twitter.

Vizita u duk se ishte një sfidë ndaj urdhër-arrestit për krime lufte ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të premten.

“Me shfaqjen në Krime dhe në Mariupol, ai po përpiqet të dërgojë dy mesazhe të rëndësishme, si për Perëndimin, ashtu edhe për popullin rus”, thotë Mark Voyger, ish-këshilltar special për çështjet ruse dhe euroaziatike.

“Për Perëndimin ky është një mesazh sfide. Pra ai po tregon se nuk ndjehet fajtor dhe në thelb kërkon të tregojë se është mbi këto zhvillime”, shton Voyger.

Rusia aneksoi rajonet ukrainase të Donetskut, Khersonit, Luhanskut dhe Zaporizhzhisë në shtator, pas të ashtuquajturit referendum i cili u refuzua nga Ukraina dhe Perëndimi.