Aktualitet

Pandemia dhe tërmeti rrisin kërkesat për të blerë vila në periferi, dy zonat më të kërkuara

Pandemia dhe tërmeti rrisin kërkesat për të blerë vila

Investimi në vila është tendenca e fundit e tregut të shit-blerjeve të pasurive të patundshme. Kjo duket se ka nxitur kompanitë e ndërtimit që të projektojnë e ndërtojnë komplekse gjigande sidomos përgjatë periferisë së kryeqytetit.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera e lejeve të ndërtimit të miratuara për vila me dy kate në 4 vitet e fundit kap shifrën e 105 milionë eurove.

Ilda Rusi e cila drejton një agjenci imobiliare tregon për Klan se dy zonat më të kërkuara në kryeqyt janë Farka dhe Lundra.

“Jo vetëm stili i ri i jetesës larg zhurmës së qytetit dhe pranë qetësisë së natyrës, por edhe pasiguritë që kanë shkaktuar tërmetet, po orientojnë kërkesën e tregut imobiliar drejt vilave të periferisë. Sipas agjencive të pasurive të patundshme më të kërkuarat në kryeqytet janë zonat e Farkës dhe Lundrës.”

Komplekset e banimit në vila janë të shumta përreth periferisë së Tiranës, ndërsa interesi për të blerë e për të investuar nga ana e shoqërive të ndërtimit është shtuar. Ilda Rusi, e cila drejton një agjenci imobiliare, tregon se pas tërmetit të vitit 2019 ka një rritje të konsiderueshme të kërkesës për të blerë shtëpi private, e mbështetur edhe nga pandemia e Covid-19, e cila ndryshe nga sa ka goditur sektorët e tjerë të ekonomisë, në këtë treg ka shtuar fluksin e shitjeve për shkak të privatësisë që ofron kjo mënyrë banimi.

“Pas tërmetit kërkesa është rritur ndjeshëm për blerjen e vilave. Kërkohen vila nga të gjitha llojet, edhe private tërësisht, por më shumë tregu është orientuar në komplekse komunitare. Dëshira për të blerë vila është mbështetur po ashtu edhe nga pandemia e Covid-19.”

Po çfarë e dallon këtë mënyrë jetese nga ajo në apartament?

Specialistët e këtij tregu, numërojnë disa përparësi: ata që e përzgjedhin janë një kategori elitare sa i përket të ardhurave, kërkojnë një jetë më cilësore jashtë zhurmës dhe ndotjes së qytetit dhe kanë më shumë hapësirë private.

“Pak a shumë çmimet variojnë deri në 1200 metri katror, ndërsa të ofrohet më shumë se brenda në qytet: ke privatësi, je jashtë zhurmës, ndotjes dhe ke qetësi.”

Sipas të dhënave të tregut imobliar, në dy vitet e fundit kërkesa për vila krahasuar me atë për apartamente, është rritur me 30%. Kategoria që pëlqejnë të blejnë këto shtëpi përfshin të gjitha moshat: edhe çiftet e familjet e reja, dhe ata në moshë pensioni, por që pëlqejnë të kalojnë kohën larg zhurmave dhe më të sigurtë.

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna për ndërtesa banimi me dy kate është rritur nga 132 në vitin 2016, në 381 në fund të 2019-s, ndërsa gjatë vitit 2020, pavarësisht pandemisë, janë 279 projekte të miratuara për ndërtesa private vilash.

Referuar Klan, Tiranapost.al.