Orët e fundit Rita Ora u vu në epiqendër të kritikave për flamurin serb gjatë koncertit në Hungari, por po aq kishte edhe që e mbështetën këngëtaren. Nëse sheh performancën e saj, dallohet që këngëtarja shqiptare nuk e ka vënë aspak re se i kujt ishte flamuri që një “fans” i hodhi në skenë dhe ajo e mbajti për disa minuta në dorë, ndoshta me bindjen se ishte ai hungarez. Rita Ora po performonte në Hungari. Këtë tha edhe kur dha një përgjigje për ngjarjen e sikletshme.
“Nuk e kam parë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena kuptova se ishte flamur serb dhe jo hungarez. I mbështes të gjithë fansat e mi nga të gjitha vendet dhe kulturat, por dua ta bëj shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës dhe nuk e kisha për qëllim të mos respektoja trashëgiminë time, ose të mërzisja popullin, apo familjen time,” shkruan Rita.
Sigurisht, do kishte qenë ideale nëse këngëtarja do ta kishte parë flamurin. Çfarë do kishte bërë?
Kurioze…
Pse nuk mund ta valëvisë një këngëtarë nga Kosova flamurin serb?
Sepse lëndon shumë njerëz, e para.
E dyta, jo për nga rëndësia, Serbia, jo vetëm e ka njollën e zezë të luftës dhe vrasjeve në Kosovë, por sot e kësaj dite nuk ka pranuar fajin, nuk ka pranuar Kosovën shtet.
Në këtë rast Rita Ora ra viktimë e një mendjeje diabolike të një fansi që s’është fans.
Kujtojmë se Serbia nuk la gur pa lëvizur për një dron me flamurin e Shqipërisë së madhe në ndeshjen e futbollit në Beograd. Një dron që s’duhet të kishte fluturuar në fushë, por kështu është muzika, sporti, kinemaja, apo letërsia, në një mënyrë a tjetër janë zëdhënëse të historisë, ndonjëherë me efekt më shumë sesa politikanët.