Aktualitet

Numri më i lartë i viktimave nga Covid, Manastirliu thirrje qytetarëve: Sot më shumë se kurrë, gjithësecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësi

Numri më i lartë i viktimave nga Covid, Manastirliu thirrje

Vendi ynë shënoi sot numrin më të lartë të vdekjeve për shkak të pandemisë Covid-19 me 17 jetë të humbura.

Ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një postimi në rrjetet sociale I bën thirrje qytetarëve të zbatojnë tre rregullat bazë, sa herë që dalin nga shtëpia.

Ajo shton se sot më shumë se kurrë, gjithësecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësi për të parandaluar përhapjen e infeksionit, duke zbatuar rregullat bazë që janë:

-Maska

-Distanca

-Higjena

“Sot në Shqipëri u shënua numri më i lartë ditor i viktimave nga Covid-19. Një fakt që reflekton shtimin e numrit të të infektuarve gjatë javëve të fundit.

Sot më shumë se kurrë, gjithësecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Armët që ka sot e gjithë bota janë zbatimi i tre rregullave:

-Maska

-Distanca

-Higjena

A po i zbatojmë ato, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit e dashur dhe për të treguar solidaritetin me autoritetet shëndetësore, në këtë luftë të paprecedentë për jetën?

Pyeteni veten ju lutem, çdo herë që dilni nga shtëpia: A jam duke i përdorur këto armë?

Shkujdesja, shpërfillja dhe mohimi janë aleatët më të mirë të Covid-19.

Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin, për të mos i hapur rrugë virusit të rrezikshëm, për të mos e lejuar të na dëmtojë njerëzit e dashur.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin që mundemi, duke mos kursyer asgjë nga kapacitetet tona, të cilat siç e dini, nuk janë të pafundme.

Por siç e kam përsëritur me dhjetëra herë: Përhapja e virusit nuk parandalohet në spitale. Atë e ka në dorë gjithësecili prej jush”, shkruan Manastirliu.