Aktualitet

Një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e Sokol Olldashit

Një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e Sokol

Tetë vite nga ndarja nga jeta, një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e ish-deputetit të PD-së dhe ish ministrit, Sokol Olldashi. Një nderim që ndoshta duhet ta kishte bërë partia e tij dhe Basha, megjithëse rivalë mes tyre, por kjo nuk ka ndodhur.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot, me votat e këshilltarëve socialistë, propozimin për emërtimin “Sokol Olldashi” të një rruge të Tiranës, i cili ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

“Ky vendim vjen fill pas emërtimit të një shkolle me emrin “Bashkim Fino” në Njësinë 2. Nëse fushatat kanë një dozë të shtuar të debatit edhe të argumentimit, duhet të kujtohemi edhe për gjërat që na bashkojnë, dhe jo për gjërat që na përçajnë. Pas emërtimit të shkollës me emrin e një kolegu të ndjerë nga e majta, që u nda befas nga jeta, bëmë të njëjtën drejtësi për të bashkuar atë komunitet duke emërtuar një rrugë me emrin e ish deputetit të PD, Sokol Olldashi”, deklaroi Veliaj.

Rrugëtimin e tij politik Olldashi e nisi që në kohën e protestave të studentëve të dhjetorit në vitin 1990. Karrierën e tij profesionale e filloi si gazetar në shtypin e shkruar, ku mund të përmendim gazetën “Albania”, “Rilindja Demokratike”, “Agjencinë Telegrafike Shqiptare” dhe në fund kryeredaktor në median “ATN”.

Ishte një nga figurat më të spikatura politike të Partisë Demokratike të cilën e përfaqësoi katër herë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

*Tiranapost.al.