Aktualitet

Kryeministri sot në Kuçovë për hapjen e bazës ajrore së NATO-s

Kryeministri sot në Kuçovë për hapjen e bazës ajrore

Sot në Kuçovë nisi sot modernizimi i bazës ajrore dhe kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij që kjo tregon që Shqipëria është një vlerë e shtuar e NATO-s.

“Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut dhe shikon krahun jugor të kontinentit europian, është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye, Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, bëhet një vend me rëndësi kritike”. Këto janë fjalë të Gjeneralit të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd Ëalters, në një vlerësim të bërë prej tij mbi rëndësinë e pozicionit strategjik të vendit tonë, si pikë ndikuese në Ballkanin Perëndimor dhe Europë gjatë një dokumentari të NATO-s për bazën e Kuçovës.

Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël, është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku, shtete, që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet.

Natyrisht që për ne lajmi i kësaj vendimmarrje të NATO-s ishte një lajm shumë i mirëseardhur sepse, jo vetëm krijonte një vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik, në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik, por edhe ushtarak.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera, por falë edhe punës së përbashkët, e cila është një punë e cila e ka çuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në një nivel tjetër. Falë mbështetjes që po gjejmë vijimësisht nga Shtetet e Bashkuara dhe nga strukturat e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, ne po vetëdijësohemi çdo ditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht, të rritjes së cilësisë së forcave tona ushtarake ashtu siç duhet, ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n dhe për projekte të tjera.

Sot ne po shohim të realizuar një projekt, i cili, kur erdhi si lajm, ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Më kujtohet fare mirë se sa shumë është përqeshur ai lajm dhe sa shumë komente mosbesuese janë bërë atëherë kur 3 vjet më parë, lajmi u bë publik dhe sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente dhe opinione, sipas të cilave, ky moment nuk do vinte kurrë dhe asnjëherë nuk do ndodhte që Kuçova të kthehej në një bazë ajrore ku do zbatohen 5 projekte të ndara në 3 paketa të rëndësishme dhe përveç përfitimeve në aspektin strategjik dhe ushtarak, do të impaktohet në mënyrë afatgjatë edhe ekonomia. Në aspektin social, po ashtu, zona e Kuçovës do ketë një përfitimin, si të ardhur nga qielli, në këtë çast."