Nga vrasja e Egli Progës tek akuzat për fshehje krimi dhe njoftimi për marshim, gjithçka që duhet të dini mbi ngjarjen e Pogradecit
Të shtunën e 10 gushtit Egli Proga, një 42-vjeçar nga Pogradeci u gjet i shtrirë në një trotuar. U dërgua në spitalin e qytetit, ku pak minuta më vonë u nda nga jeta.
Lajmet e para
Fillimisht, sipas lajmeve në media të ndryshme që shkruanin se kishin informacion nga Policia, Proga ishte në gjendje të dehur dhe ishte rrëzuar në rrugë. Si pasojë e rrëzimit kishte humbur edhe jetën. Por më tej sqarohej se do të hapeshin kamerat për ta zbardhur ngjarjen. Policia nuk kishte dalë ende me një deklaratë zyrtare.
Pak orë më vonë, pak nga pak u zbulua ngjarja e plotë. Bëhet fjalë për vrasje. Dinamika ishte ndryshe.
Si ndodhi realisht ngjarja
Egli Proga kishte mbyllur lokalin që ishte prej vitesh një biznes familjar dhe ishte nisur për në shtëpi. Rrugën ia kishte prerë Denis Meçi, që i kishte kërkuar xhiron ditore. Proga kishte rrefuzuar t`ia dorëzonte xhiron e ditës duke i thënë se kishte fëmijë për të rritur. Pas këtij momenti është goditur nga Meçi për vdekje.
Tentativat për ta fshehur krimin
Në pranga është vënë Denis Meçi dhe 3 persona të tjerë që kanë penguar zbulimin e krimit. Ata kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Policia e Korçës njoftoi se arrestoi Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç. Shulku është pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kurse ndaj Meçit fillimisht rëndoi akuza e “Vrasjes me dashje”.
Ndryshimi i akuzës
Seanca gjyqësore e zhvilluar dje ndryshoi akuzën ndaj Denis Meçit, nga “Vrasje me dashje”, për të cilën rrezikon 10-20 vite burg, në “Vrasje nga pakujdesia”, për të cilën mund të marrë gjobë, deri në 5 vite burg.
Akuzat e familjarëve
Familjarët e viktimës, Egli Proga prej ditës së ngjarjes kanë hedhur akuza të forta fillimisht ndaj Policisë së Shtetit, për tentativat për të fshehur ngjarjen dhe deri tek prokurorja e çështjes që vendosi ndryshimin e akuzën dhe lentësimin e saj. Ndërkaq për tre të arrestuarit e tjerë vendosi “Detyrim paraqitje”.
Motra e Egli Progës ka dalë me disa deklarata për mediat. Ajo thotë se vetë autoritetet janë munduar të fshinin ngjarjen duke e raportuar si aksidentale. Sipas saj, Policia e Shtetit veproi me vonesë, ndërsa edhe ambulanca u vonua dhe ndërhyrja për të vëllanë ishte shumë vonë. Madje e motra deklaroi se policia fillimisht u tha familjarëve se ai ishte rrëzuar, por kur kanë parë trupin, e kanë kuptuar se ai ishte dhunuar.
Revolta publike
Ndërkaq në rrjet është paralajmëruar një protestë për ditën e hënë, 19 gusht: “Marshim kundër gangove me pushtet, për jetën, për sigurinë, për drejtësinë”, nën hashtagun #DrejtësipërEglin
Sot akuzave për fshehje të ngjarjes iu përgjigj Policia e Shtetit për kreut Rrumbullaku që tha se policia ka arrestuar vrasësin në kohë dhe se distancohet nga ndryshimi i akuzës të bërë nga Prokuroria.
Edhe Brataj, nga Urgjenca Kombëtare iu përgjgj akuzave për vonesë të ambulancës. Ai tha se Ambulanca shkoi për 7 minuta dhe se veprimet u ndërmorrën brenda 20 minutash në total, por pa rezultat.
Një reagim ka bërë pak minuta më parë edhe Kryeministri Rama:
Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë! “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral. Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes. Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.