Aktualitet

Nesër zgjedhje në Kukës, Policia publikon masat

Nesër zgjedhje në Kukës, Policia publikon masat

Kukësi do të shkojë në Zgjedhje Vendore nesër pas skandalit seksual dhe shkarkimit të kryebashkiakut Safet Gjici.

Policia ka publikuar masat e marra për mbarëvajtjen e procesit.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe të materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi.

I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.

Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.

Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.

Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.

Është bërë instruktazhi i të gjitha forcave të Policisë, që janë të ngarkuar me detyra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, në qytetin e Kukësit.

Punonjësve të Policisë iu është kërkuar të tregojnë profesionalizëm e korrektësi në detyrat e përckatuara në planin e masave përsa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore dhe të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit. Në këtë kuadër apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.