Aktualitet

Nëse dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni fare viza, ky vend është Shqipëria

Nëse dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni

Kryeministri Rama i pranishëm në mbrëmjen falenderuese për delegacionet e mbi 150 vendeve të botës, të cilat e zhvilluan Kongresin Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Shqipëri u shpreh se organizime të tilla dëshmojnë se Shqipëria ka sot sportistë që na bëjnë të ndihemi krenarë. Por nga ana tjetër Rama tha se vendi ynë i cili ka vuajtur gjatë izolimin, është promotor i lëvizjes pa viza dhe pa procedura penguese sidomos kur bëhet fjalë për pritjen e eventeve të tilla kompetitive. “Në rast se dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni fare viza, ky vend është Shqipëria,” tha Rama.


Pjesë nga fjala e Kryeministrit Rama në Kongresin Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes që u mbajt për herë të parë në Shqipëri:

Ju thatë që ne jemi pikërisht kërthiza e botës sepse është shumë e lehtë për të ardhur këtu nga të gjitha anët e globit dhe jam dakord me ju, por është e rrezikshme për ne që të mendojmë në këtë mënyrë pasi kemi vuajtur shumë, pasi mendonim se kemi qenë më të mëdhenj se çfarë ishim në të vërtetë. Kështu që duhet të jemi me këmbë në tokë e të punojmë fort.

Më duhet të them gjithashtu se peshëngritësit tanë janë vërtet frymëzim sepse ata kanë patur mundësinë të tregonin që edhe nga një vend fare i vogël si Shqipëria, dalin talente me punë të madhe e duke punuar fort, sepse kjo bën diferencën. Dëshiroj t’ju them i dashur Muhamed dhe dëshiroj t’ju them të gjithëve ju këtu miq të nderuar që ne ndjehemi vërtet të nderuar dhe krenarë që kemi mikpritur dhe është organizuar në Shqipëri ky kongres kaq i madh dhe i rëndësishëm, por kjo nuk do të kishte ndodhur pa presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Miku ynë, Elezi ishte aq i paduruar dhe aq shumë i angazhuar e i përkushtuar për ta bërë të gjithë këtë organizim në mënyrën më të mirë të mundshme sa ai ka bezdisur çdo ministër, çdo zyrtar dhe madje ka kërcënuar dhe qeverinë duke thënë që në rast se ndonjë nga anëtarët e kongresit do kishin edhe problemin më të vogël me vizat, atëherë ne do të na duhej që të përballeshim me të gjithë muskujt e anëtarëve të Federatës së Peshëngritjes dhe sigurisht që kjo nuk mund të ndodhte, kështu që ne lëvizëm me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Në rast se dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni fare viza, ky vend është Shqipëria. Ju keni ardhur një herë në këtë formë. Ne e vërtetuam që nuk kryet ndonjë akt terrorizmi, as ndonjë vepër penale, përkundrazi ju ishit të mrekullueshëm. Ishit të ftuar të mrekullueshëm kështu që herën tjetër mjafton një autorizim nga Mehmet Pasha, i botës së peshëngritës dhe ejani në Shqipëri kur të dëshironi për të pushuar. Ejani në aeroport, thoni “unë jam me Mehmet Pashën” dhe s’do ketë nevojë as për pasaporta dhe as për gjë tjetër sepse ne na ka ardhur në majë të hundës kjo botë me kufij, me dyer që mbyllen, me viza me certifikata. Këtu gjërat janë të thjeshta. Këtu miqtë janë Perëndia!