Aktualitet

Në dy shkurt do marrin dozën e dytë të vaksinuarit, Rakacolli pyetet pse nuk kanë ardhur 10 mijë vaksinat e tjera

Në dy shkurt do marrin dozën e dytë të vaksinuarit,

Janë mjekët dhe infermierët që kanë bërë dozën e parë të vaksinës anti-koronavirusit të cilët me datë 2 shkurt do të marrin dozën e dytë. Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se vaksinimi nuk do të ndërpritet në asnjë moment, ndonëse këtë javë pritej të mbërrinin 10 mijë dozat e vaksinës së Pfizer.

Nga emisioni Open ajo tha:

'Kemi marrëveshje direkte me Pfizer dhe jemi pjesë e Covax. Në datën 2 shkurt do të marrin dozën e dytë i gjithë personeli që ka marrë dozën e parë të vaksinës. Pra vaksinimi nuk ndërpritet për asnjë moment'.

E pyetur se pse po vonon mbërritja e dozave të tjera të vaksinës, Rakacolli përmendi kapacitetet prodhuese të Pfizer dhe se vonesat ndodhin edhe në shumë shtete të tjera të botës:

‘Siç u tha ka vonesë nga firmat farmaceutike Pfizer, për shkak të kapaciteteve të tyre prodhuese. Kërkesa është e madhe dhe fabrika ka bërë një hapje që të prodhohen më shumë, ka shtuar kapacitetet prodhuese. Për sa i përkëet Shqipërisë nuk do të krijojë pengesë. Vaksinimi po vazhdon, është e sigurtë dhe doza e dytë për ata që kanë bërë dozën e parë. Shqipëria po ecën dhe do të vazhdojë, nuk do të ketë ndërprerje.

Rama tha jemi në komunikim të vazhdueshëm me Pfizer. Ata nuk kanë thënë që s’do e respektojnë kontratën, nuk kanë thënë që s’do sjellin. Akoma nuk ka mbaruar janari, të presim. E kemi të kontrolluar procesin e vaksinimit. Kjo vonesë nuk është vetëm në Shqipëri, por në shumë shtete të botës. Me shtimin e kapaciteteve do jetë në gjendje të mbulojë vonesën. Çfarë problemi ka krijuar? Njerëzit po vijojnë të vaksinohen. Rëndësi ka që procesi i vaksinimi po vazhdon'.

*Tiranapost.al.