Aktualitet

Ndryshimet me Kodin e ri Rrugor: Nëse humb pikët e patentës rikthehesh në autoshkollë

Ndryshimet me Kodin e ri Rrugor: Nëse humb pikët e patentës

Pak ditë më parë, Parlamenti miratoi paketën me ndryshimet në Kodin Rrugor, që pritet të dekretohet nga presidenti Ilir Meta. Pjesë e ndryshimit është kolaudimi i makinave që do të bëhet një herë në dy vite. Sipas ligjit të ri makinat e reja duhet të kalojnë në kontroll teknik tre vite pas regjistrimit në Shqipëri.

Ndërsa për taksitë, auto-shkollat dhe mjetet e tjera të transportit afati i kolaudimit është një herë në vit.

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR Blendi Gonxhe u ndal edhe tek ashpërsimi i masave administrative, kur ato përsëriten. Në një intervistë për Report Tv, ai tha se me Kodin e Ri Rrugor, humbja e pikëve të patentës nuk përbën më një procedurë, por do të ketë ri-regjistrim në autoshkollë për shoferët që thyejnë rregullat.

Blendi Gonxhe: 'Ka një ashpërsim të masave administrative që janë të përsëritura që vijnë nga papërgjegjshmëria ose nga injorimi i rregullave. Ka një përshkallëzim të masave në raport me kohën kur t’i i bën këto shkelje. Në rast se për një vit bën të njëjtat shkelje tre herë, agravohet masa. Qytetarët duhet të kanë të ngulitur se humbja e pikëve të patentës nuk përbën më një procedurë që do vish të bësh një test normal, por e kemi ashpërsuar masën dhe do të bësh një ri-regjistrim në autoshkollë. Kur përsërit gabimin përveç gjobës do të kesh edhe penalizim në pikë. Do fillojmë një fushatë edukuese se si duhet të sillemi në rrugë dhe si përdorues të rrugës. Do punojmë shumë që të bëjmë progres në këtë punë, edhe për edukimin e fëmijëve dhe rregullat në rrugë'.

Më tej, kreu i DPSHTRR tha se brenda muajit maji pritet të nisë kontrolli teknik i automjeteve, ku fillimisht do kolaudohen 150 mijë automjete.

‘Në rrugë do të kemi një kontroll të dyfishtë edhe të punës sonë. Do kemi katër kontrolle dy nga të cilat do të dedikohen për të bërë kontrolle të befasishme dhe dy të tjerat do të jenë në rrugë për rastet që janë të dukshme. Do të kontrollojmë dhe mjetet që kanë bërë kolaudimin, ne duhet të kontrollojmë edhe veten tonë.

Do ketë një monitorim live me kamera dhe me numra targash. Shërbimi fillon brenda muajit maj, dhe do të rifillojë për ato mjete që janë targuar në vitin 2021 dhe nuk kanë kaluar fare në kolaudim. Janë rreth 50 mijë mjete të tilla që do të kolaudohen brenda këtij viti. Do të kemi dhe të gjitha mjetet që nuk kanë kaluar kolaudimin vitin e kaluar janë rreth 150 mijë mjete, të cilat ne do t’i dedikohemi hapjes së shërbimit. Shërbimi do bëhet me rezervim online. Duhet te kemi paguar taksat dhe siguracionet’.

*Tiranapost.al