Aktualitet

Ndihma ekonomike dhe të gjitha kategoritë që përfitojnë nga projektbuxheti i 2022-shit

Ndihma ekonomike dhe të gjitha kategoritë që përfitojnë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se cilat kategori do të përfitojnë nga projektbuxheti i vitit 2022. Në fokus do të jenë familjet me ndihmë ekonomike dhe fëmijët me një prind.

"Buxheti i vitit 2022 që qeveria ka miratuar dje ka vendosur që të kemi një rritje të mburojës sociale dhe gjithashtu një konsolidim në rritje për sa i përket buxhetit për shëndetësinë duke adresuar padyshim pandeminë por edhe duke vijuar me investimet e reja në shëndetësi. Qeveria ka vendosur të rrisë masën e ndihmës ekonomike për familjet përfituese të ndihmës ekonomike me 10%.

Ndërkohë që do të ketë një politikë për të shenjëstruar për rreth 15 mijë familje që pas vlerësimit janë identifikuar me karakteristika ekonomiko-sociale që duhet të mbështeten më shumë dhe janë pikërisht familjet që kanë mbi 3 fëmijë deri në moshë 18 vjeç që janë pjesë e përfituesve të ndihmës ekonomike të cilëve do t’u dyfishohet ndihma ekonomike. Ndërkohë që janë disa kategori që përfitojnë nga programi social që janë fëmijët jetimë, gratë e trafikuara dhe të dhunuara të cilave si kategori do t’u trefishohet ndihma ekonomike.

Ndërkohë që edhe një tjetër politikë e re, por tashmë e konsoliduar në vijim të mbështetjes së mjekëve, infermierëve dhe atyre të cilëve në fakt përgjatë këtyre viteve kanë treguar se dinë të punojnë me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, por që ne e kemi mbajtur këtë zotim për rritjen e pagave përgjatë gjithë këtyre viteve, por edhe gjatë vitit 2022 do të ketë një rritje pagash për mjeket dhe infermierët me 6% duke filluar nga 1 korriku. Personeli shëndetësor në rang vendi", tha Manastirliu në News 24.