Ndërron jetë nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Murad

Nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Murad ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.
Lajmi për ndarjen nga jeta të tij është njoftuarnga ish-drejtuesi i Kongresit Panshqiptar Amerikan, Bruno Ceka, përmes një postimi në facebook.
“Sot pushoi së rrahuri zemra e njërit ndër figurat më të mëdheja të kombit shqiptar. Nobelistit tonë Dr Ferid Murad. Pushofshë në paqe miku im Zoti të bekoftë”, shkruan Ceka.
Ferid Murad lindi në Whiting të Indianas, në vitin 1936. I ati ishte John (Xhabir) Murad nga Gostivari.
Ai studioi në në Universitetin DePauw në Greencastle të Indianas, ku u diplomua në vitin 1958, ndërsa mori titullin Doktor Shkencash në Universitetin Case Western Reserve në Ohios.
Muradi është një ndër tre amerikanët që fituan Çmimin Nobel për Mjekësinë në vitin 1998, për punën e tyre me NO(Oksidi Nitrik). Murati dhe kolegët e tij zbuluan përparësitë vitale biologjike të NO, një gazi pa ngjyrë dhe erë, që i nxit enët e gjakut të relaksohen, zgjerohen dhe kjo çoi më pas në prodhimin e pilulave kundër impotencës.
NO përmirëson qarkullimin e gjakut dhe e ul tensionin. Ky zbulim ka një rang të lartë aplikimesh, duke përfshirë këtu trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe mundësinë e frymëmarrjes më të lehtë të foshnjave të lindura para kohe.