Aktualitet

Ndërroi jetë pasi lindi fëmijën, familjarët mblidhen para prokurorisë së Fierit

Ndërroi jetë pasi lindi fëmijën, familjarët mblidhen

Familjarët e 31 vjeçares e cila humbi jetën pasi lindi fëmijën e saj të dytë, janë mbledhur para prokurorisë në Fier. Ata kërkojnë që ngjarja të zbardhet në lidhje me vdekjen e 31 vjeçares.

Ngjarja ndodhi me datë 12 Prill në maternitetin në Fier. Elisabeta Lamaj ndërroi jetë në sallën e operacionit , pasi solli në jetë vajzën e saj të dytë. Mjekët që trajtuan rastin kanë thënë se e reja vdiq si pasojë e një infarkti akut të miokardit. Por ky nuk është ende shkaku zyrtar, pasi pritet përfundimi i ekspertizës nga ekspertët ligjorë nga Tirana me kërkesë të prokurorisë. Sipas dëshmisë së mjekëve ajo ndërroi jetë pas anestezisë së pjesshme që aplikohet para lindjeve me operacion cezarian.

Bashkëshorti i Elisabetës, Leonard Lamaj para godinës së prokurorisë tha se ndonëse kanë kaluar shumë ditë, ende nuk është marrë në pyetje nga prokuroria, apo që ti jepet informacion mbi shkaqet e vdekjes së bashkëshortes së tij.

Leonard Lamaj:

'Nuk janë marrë dëshmi. Të shtunën janë bere katër javë nga vdekja. Askush nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Kjo gjë nuk do të mbetet në heshtje derisa të dalë fajtori. Mjekët kanë fshehur ngjarjen. Kisha besim tek prokuroria dhe i bëj thirrje që të veprojë. Dua përgjigje nga prokuroria. Neglizhencë e paparë prej një muaji. Për mua nuk do mbyllet asgjë. Dua të më pyesin e të jap dëshminë time. Nuk dimë asgjë çfarë ka ndodhur, medikamentet e përdorura, pajisjet.'

*Tiranapost.al.