Ndërroi jetë në atentatin ndaj prokurorit në Durrës. Familja e Andi Malokut ngre padi në GJKKO dhe kërkon dëmshpërblim
Andi Maloku, 25 vjeç ishte shoferi i prokurorit Arjan Ndoj në Durrës. Ai mbeti i vrarë në atentatin e 1 Nëntorit 2019. Shënjestra ishte prokurori dhe një tjetër person që ndodhej në makinë në momentin e atentatit.
Familjarët e Andi Malokut kanë bërë sot një padi në gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit për Redjan Rrajën dhe Arjol Halilajn, që të marrin dënimin maksimal. Të dy janë arrestuar të akuzuar si autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
Familjarët kërkojnë gjithashtu dëmshpërblim për humbjen e jetës së djalit, pas atentatit në mbikalimin e Shkozetit. Nuk dihet ende shuma që ka kërkuar si dëmshpërblim familja.
Ndërkaq, seanca që pritet të mbahej sot ndaj Redjan Rrajës dhe Arjol Halilajt është shtyrë, për shkak të mungesës së të pandehurit Redjan Rraja.
Familjarët e Andi Malokut kanë hedhur akuza edhe ndaj shtetit duke thënë se është bërë padrejtësi me çështjen që po zvarritet.
Në kohën kur ndodhi ngjarja, më 1 nëntor 2021, Andi Maloku po udhëtonte me makinë me prokurorin e Durrësit Arjan Ndoj dhe Pëllumb Muharremin.
Prokurori i Durrësit u vu në qendër të akuzave asokohe edhe nga kryeministri Rama, pas disa hetimeve ku dyshohet se ka shkelur ligjin, lidhur me disa çështje pronash tek Gjiri i Lalzit dhe Ishëm.
Megjithatë ai vetë ka thënë se nuk është ndjerë më parë i kërcënuar. Nga atentati në mbikalimin e Shkozetit ai mbetit i plagosur. Çështja ende nuk është mbyllur!.
*Tiranapost.al.