Mijëra refuzime në regjistrimin e diasporës! Gabim vendosja e adresës

Mijëra aplikime nga diaspora janë refuzuar, pas më shumë se një javë që ka nisur procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë në platformën e ngritur nga KQZ.
Nga 34,511 kërkesa të bëra deri në mëngjesin e kësaj të diele, vetëm 13.273 janë miratuar, me 12,335 janë duke u shqyrtuar, ndërsa 8,118 janë refuzuar.
Kjo shifër që përkon me 23.5% të aplikimeve të deritanishme vjen si rrjedhojë e dy problematikave më kryesore që po ndeshet gjatë aplikimit të diasporës për t’u regjistruar.
Së pari është mospërputhja mes adresës së deklaruar dhe adresës në dokumentin e ngarkuar në platformë. Ndërsa një tjetër faktor për këtë shifër të lartë refuzimesh të aplikimeve është edhe mungesa e dokumenteve shqiptare nga emigrantët.
Vlen të theksohet se deri më 4 mars, çdo emigrant që deri më tani nuk i është pranuar procedura e regjistrimit si votues nga jashtë, do mund të aplikojë disa herë deri sa kërkesa t’i pranohet.
Nëse nuk regjistrohen deri më 4 mars, çdo emigrant që do dëshirojë të votojë në zgjedhjet e 11 majit, do mund ta bëjë këtë vetëm, duke ardhur në Shqipëri.