Aktualitet

Meta nga Korça: Të angazhohemi që mësuesit dhe rinia jonë të mos braktisin atdheun

Meta nga Korça: Të angazhohemi që mësuesit dhe rinia

Presidenti Ilir Meta ndodhet ditën e sotme në qytetin e Korçës për ceremoninë e mirënjohjes për arsimtarë të qytetit. Presidenti ka shprehur mirënjohjen për kontributin e mësuesve, edukatorëve dhe pedagogëve me rastin e festës të 7 Marsit. Meta shkruan se kjo ditë duhet të shërbejë për angazhimin e kombit për të mos lejuar rininë dhe arsimtarët të largohen nga Shqipëria.

Statusi i Presidentit Ilir Meta:

Nga Korça, djepi i Rilindjes Kombëtare, arsimit dhe kulturës shqiptare, pata sot kënaqësinë e veçantë të vlerësoja me rastin e 7 Marsit, një buqetë të nderuar mësuesish, edukatorësh, pedagogësh e drejtuesish të paharruar të shkollave të këtij qyteti, që aq shumë kanë sakrifikuar për përhapjen e dritës së dijes dhe edukimit patriotik të rinisë.

Mirënjohje përjetë për të gjitha brezat e mësuesve shqiptarë, të cilët me vizion e patriotizëm dhanë edhe jetën e tyre për mbrojtjen e përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip.

Të angazhohemi së bashku për të bërë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar më, që mësuesit dhe rinia jonë e mrekullueshme të braktisin Atdheun, por ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre të sigurt, plot krenari dhe besim.

GËZUAR 7 MARSIN!

tiranapost.al