Aktualitet

Merren kamerat dhe kartelat nga spitali Covid-2. Po hetohet me kë kishte lidhje sanitare Tirja: S'ishte as e pavionit

Merren kamerat dhe kartelat nga spitali Covid-2. Po hetohet me kë kishte

Tire Alldervishi ka marrë masën e arrestit me burg, ndërsa prokuroria po vijon hetimet për skandalin e ndodhur tek Spitali Shefqet Ndroqi, ku sanitarja u hoq si infermiere dhe i mori një shumë prej 8 milionë lekësh vajzës së një pacienteje të shtruar prej 25 ditësh në spital me Covid, e cila ndërroi jetë.

Mësohet se prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë së spitalit për të parë se me cilët ka pasur komunikim sanitarja, për më tepër ajo nuk punonte në pavijonin ku ishte shtruar 55 vjeçarja me Covid, vajza e së cilës duke menduar se Tirja ishte infermiere i jepte para për të dhe mjekët që të kujdeseshin për nënën e saj.

Sipas mediave televizive, prokuroria po heton gjithë stafin e spitalit Shefqet Ndroqi për të zbardhur të plotë të gjithë ngjarjen. Kartela e pacientes së ndjerë është marrë gjithashtu për të vërtetuar nëse asaj i janë dhënë medikamentet që Tirja i kërkonte vajzës së pacientes që t’ja blinte.

Pas rastit me Tiren, në emisionin investigativ Stop doli një tjetër denoncim i një gruaje e cila tha se sanitarja, Tire Alldervishi i kishte kërkuar 50 euro për të pastruar mjekrën e babait të saj të shtruar me Covid. Hetimet po thellohen për të parë nëse kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi të përsëritur dhe me persona të tjerë të përfshirë.

*Tiranapost.al