Aktualitet

‘Menaxhimi i bregdetit si mjegullnajë që vjen ca nga padija e ca nga mungesa e përvojës’. Kumbaro për Turizmin tregon planin e ri

‘Menaxhimi i bregdetit si mjegullnajë që vjen ca nga padija e ca

Mirela Kumbaro do të jetë ministrja e re e Turizmit. Nga Kuvendi ku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve mbi planin e këtij sezoni të ri, ministrja Kumbaro e njohur me këtë dikaster edhe nga drejtimi i mëparshëm të Ministrisë së Kulturës nuk kurseu kritikat mbi problematikat që ende ekzistojnë, duke filluar nga menaxhimi i zonave bregdetare, mbetjet, informacioni turistik e deri zhvillimi i turizmit: Pjesë e programit tonë është edhe reformimi i strukturave ekzistuesve të menaxhimit të bregdetit për ta zgjidhur këtë mjegullnajë që vjen ca nga padija, ca nga mungesa e përvojës dhe ca nga keqmenaxhimet e trashëguara në dekada, tha Kumbaro. Ajo theksoi se një draft-ligj është në proces dhe do jetë prioritet i këtij mandati me objektiva të qarta.

Mirela Kumbaro:

"Menaxhimin e bregdetit dhe pastrimin e kësaj pjese, sigurisht që në këtë mandat e kemi prioritet, siç e dëgjuat në fjalën e kryeministrit. E kemi të qartë se bashkëjetesa e mjedisit me turizmin shkojnë bashkë, pa mjedis të pastër s’mund të kemi turizëm cilësor, është aseti më i madh për zhvillimin shqiptar, dhe atë bregdetar që është pika më e frekuentuar nga turistët të huaj dhe vendasit. Zonat bregdetare me një gjatësi 420 km janë nga më produktivet për larminë e habitateve, shërbimeve, ekosistemeve, prodhimit, biznesit dhe zhvillimit urban por është njëkohësisht një zonë me shumë paradokse: Mbipopullim intensiv, me presion të madh për zhvillim, presion të madh ndotje, konflikte për tokën, asgjë e re në këtë që po them por kërkon një përgjigje shumë të organizuar mire ose më saktë një goditje.

Kjo maxhorancë ka hedhur themelet të një vëmendjeje të dedikuar institucionale 8 vite më parë me një agjenci të përkushtuar për këtë, por edhe jemi ende në mungesë përgjigjeje të përkufizimit të saktë të hapësirës që përfshihet në vijën bregdetare. Edhe që praktikisht sot mbulohet nga 11 Bashki.

Ka një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore por ende një kornizë rregullatore të posaçme për bregdetin. Prandaj një draft-ligj është në proces dhe do jetë prioritet i këtij mandati me objektiva të qarta:

-Zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare, si dhe sigurimin e mbrojtjes dhe zhvillimit racional.

-Përcaktimi për herë të parë të kufijve të bregdetit, dhënien e një statusi të veçantë juridik.

-Ndalimin e ndërtimeve dhe disiplinimin e ndërtimeve në brezin e zhvillimeve të kontrolluara në harmoni me vijën e bregdetit.

Pjesë e programit tonë është edhe reformimi i strukturave ekzistuesve të menaxhimit të bregdetit për ta zgjidhur këtë mjegullnajë që vjen ca nga padija, ca nga mungesa e përvojës dhe ca nga keqmenaxhimet e trashëguara në dekada.

Ishte një nismë e lavdërueshme krijimi i strukturave 8 vjet më parë se trashëguam një situatë skandaloze, por për shkak e tashmë vërehet domosdoshmëria e shkuarjes përpara, për cilësi menaxhim të zonës së bregdetit drejt zhvillimit të turizmit ky ristrukturim është në rendin e ditës.

Vija bregdetare është atraksioni me i madh turistik dhe do ketë vëmendjen më të posaçme. Që përfshin bashkëpunimin me Bashkitë respektive, ndarjet e territorit në rajone monitorimi. Krijimin e njësisë suplementare për sezonin e verës. Pranë strukturës që do reformohet dhe planifikimin e stacioneve të plazhit që në dy muajt e parë të vitit.

Do koordinojmë mirëmbajtjen, pastrimin, ofrimin e shërbimeve me bashkinë, dhe me Ministritë e institucionet përkatëse: Që nga kujdesi shëndetësor, rendi publik, menaxhimi i mbetjeve dhe informacioni turistik. Është pak por e sigurt, puna për sezonin e ardhshëm turistik në bregdet ka filluar".

*Tiranapost.al.