Aktualitet

Mbyllja e shkollave për tre ditë, pushim edhe për prindërit kujdestarë që punojnë në administratën publike

Mbyllja e shkollave për tre ditë, pushim edhe për prindërit
Pasi Ministria e Arsimit mbylli për tre ditë shkollat e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin për shkak të motit të keq, qeveria ka vendosur që prindërit kujdestarë që punojnë në administratën publike dhe që kanë fëmijë në çerdhe apo dhe në shkolla, të bëjnë pushim duke filluar nga sot deri të mërkurën.

Në vendim thuhet që prindërit mund të punojnë edhe nga shtëpia.

VENDIM PËR CAKTIMIN E DATAVE 24, 25 DHE 26 JANAR 2022 DITË PUSHIMI PËR PRINDIN KUJDESTAR TË FËMIJËVE TË MITUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Caktimin e datave 24, 25 dhe 26 janar 2022 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.
Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, për aq sa është e mundur, përjashtimisht, me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë ose titullarit të institucionit, mund të kryejnë detyrat më të domosdoshme funksionale të cilat përmbushen në kushtet e banesës, nëpërmjet telepunës.
Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë të këtyre ditëve, jo të zakonshëm në vend, dhe përshkallëzimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar funksionalitetin e domosdoshëm të çdo institucioni.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Tiranapost.al