Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara, Porti i Durrësit do të transformohet në port turistik

Porti i Durrësit do të kthehet në një port turistik, i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.
Ky lajm vjen pas nënshkrimit dhe miratimi në Kuvend të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot se sipas masterplanit të hartuar nga Qeveria Shqiptare, porti i mallrave do të rialokohet në zonën e Porto Romanos, ndërkohë që porti aktual do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, i cili do t’a kthejë atë në një port turistik.
“Kemi nënshkraur me Emiratet e Bashkuara një marrëveshje bashkëpunimi të rëndësishme dhe një nga projektet më të mëdhaja dhe një ndër to është padyshim rehabilitimi i basenit të Portit të Durrësit duke u kthyer në një marinë gjigande. Po ashtu parashikohet që këtu të kemi edhe ndërtimin e një balline ujore e cila do të jetë një nga ndërtimet më më spektakolare jo vetëm në Ballkan por edhe në Mesdhe. Porti i Durrësit është një nga portet më të vjetra dhe më të mëdhaja, mbi 2400 vjet që tashmë ka ardhur momenti i ti japim një tjetër drejtim. Tashmë qyteti e ka rrethuar portin dhe problemet janë të shumta duke nisur nga ndotja ambientale deri tek zhurma e problematika të tjera. Qëllimi është që Durrësi të kthehet në turistik jo vetëm për ne por për gjithë Rajonin”, tha Balluku.