Aktualitet

Manastirliu: Vonesa në Rinas ka shtyrë planin e vaksinimit me 48 orë, imagjinoni...

Manastirliu: Vonesa në Rinas ka shtyrë planin e vaksinimit me 48

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, 100.000 dozat e vaksinës kineze, të cilat nuk mbërritën mbrëmjen e djeshme për shkak të grevës së kontrollorëve të “AlbControl”. Prej andej ajo është shprehur se vonesa e djeshme ka shtyrë planin e vaksinimit me 48 orë dhe çdo vonesë tjetër mund të ishte katastrofike për shëndetin publik, pasi një shtet tjetër mund të merrte vaksinat e nisura për në Shqipëri.

“Ngjarja e djeshme vuri në risk planin tonë për vaksinim masiv, por falë përpjekjeve madhoire të kryeministrit ne arritëm që 100.000 vaksinat e Sinovac të vinin. Nga kjo vonesë plani ynë do të shtyhet me 48 orë, sepse nuk kemi bërë gati procedurat që ishin planifikuar, të bëheshin përgjatë kësaj periudhe.

Imagjinoni të ishin vonuar më shumë, me gjithë atë konkurrencë ndërkombëtare dhe shtyrje bërrylash në nivel ndërkombëtar momentin që një shtet nuk merr vaksinat, vendet e tjera ja “rrëmbejnë” dhe kjo do të sillte vonesa të paimagjinueshme në planin tonë për vaksinim masiv dhe shpëtimin e jetëve.”- ka thënë mes të tjerash Manastirliu.

Ndërkohë, prezent në pritjen e dërgesës ka qenë edhe Ministri i Rindërtimit Ahmetaj, i cili ka bërë me dije se brenda javës tjetër pritet të mbërrijnë edhe 80.000 doza të vaksinës ruse kundër COVID-it, “Sputnik V”.

Tiranapost.al