Aktualitet

Manastirliu: Situata te COVID-3 pas zjarrit është nën kontroll

Manastirliu: Situata te COVID-3 pas zjarrit është nën kontroll

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dhënë një deklaratë për mediat rreth zjarrit që ra në godinën e COVID-3, në QSUT.

Manastirliu tha nga ambientet e jashtme të kësaj godine se zjarri kishte rënë në një prej zyrave të administratës që nuk ka lidhje me 3 pavionet e COVID dhe konfirmoi që nuk kishte të lënduar nga pacientët, stafi mjekësor apo stafi administratës.

Duke theksuar faktin që situata është në kontroll Ministrja e Shëndetësisë tha se nuk do të bëhet transferimi i pacientëve në godinë tjetër.

“Këtu janë tre pavione që ofrojnë shërbim ndaj pacientëve me COVID. Dua të siguroj që janë të gjithë shendoshë e mirë. Incidenti ndodhi jo në zonat e pavioneve. Ashtu sikur mund të shquhet, është një incident që ka ndodhur në zonën e gjelbër, ku janë shërbimet mbështetëse, nuk është e lidhur me 3 pavionet.

Ky incident menjëherë sapo është evidentuar nga strukturat mbështetëse, është reaguar përmes bombolave fikse. Janë lajmëruar strukturat përgjegjëse të cilat po hetojnë për shkakun e incidentit. Ajo çka është me rëndësi është se pacientët, stafi mjekësor janë shumë mirë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar.

Incidenti ka ndodhur në këtë zonë të strukturës së ish-Kirurgjive, ku nuk ofrohet shërbim. Janë mbi 70 pacientë në COVID-3, nuk janë prekur nga ky incident asnjë prej 3 pavioonëve. Pjesa ballore, një prej dhomave ka pasur këtë incident, masat janë marrë në kohë.

Situata është në kontroll. Ka disa pista ku po hetohet. Po vlerësohen të gjitha pistat.” u shpreh Ministrja.

Tiranapost.al