Aktualitet

Lleshaj vërejtje ndaj Komisariatit të Skraparit për luftën kundër kanabisit: Ka patur efektivë të implikuar

Lleshaj vërejtje ndaj Komisariatit të Skraparit për luftën

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një takim me strukturat drejtuese të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Komisariateve të kësaj drejtorie. Menjëherë pas takimit në një deklaratë për mediat Lleshaj vuri theksin në luftën kundër kanabisit, për të cilën Lleshaj ka kritikuar Komisariatin e Skraparit.

Gjatë fjalës së tij ministri u shpreh se rastet e goditura në këtë zonë janë bërë nga Policia e Shtetit dhe jo nga ajo e Skraparit, ndërkohë që shtoi se në këtë komisariat ka pasur të implikuar të niveleve të ndryshme.

“Jemi në Berat për të zhvilluar një analizë lidhur me masat e marra për luftën ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit në këtë qark. Ka pasur angazhim të madh, megjithse kemi pasur problem të shtuar në zonën e Skraparit ku ka pasur disa raste kultivimi, të cilat janë identifikuar dhe goditur nga vetë strukturat e policisë shtetit, por jo nga strukturat e Skraparit. Megjithatë e rëndësishme është të sqarohet se lufta është zhvilluar me intensitet dhe rezultatet janë inkurajuese.

Në përgjithësi qarku i Beratit është një qark me tregues pozitivë dhe ne dimë ta vlerësojmë këtë, por thash që kemi pasur vërejtje në lidhje me Skraparin, por që do të gjejë adresimin e duhur për të mos u përsëritur asnjëherë në të ardhmen fenomene të tilla që s'na bëjnë mirë e as nder”, tha Lleshaj.

Ka pasur të implikuar në Skrapar?

Lleshaj: Po, ka pasur në nivele të ndryshme, nga niveli i moskryerjes së detyrës apo shpërdorimi i saj e deri më tej.