Lajm i fundit/ Ndahet nga jeta kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos mëngjesin e kësaj të shtune.
Prej 3 janarit, Kryepeshkopi Janullatosishte i shtruar në spitalin ‘Ungjillëzimi’ në Athinë.
“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin "Evangelismos" të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin "Hygeia" të Tiranës.
Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij”, shkruan Kisha Orthodhokse Autoqefale.
Kryepeshkopi Janullatos lindi në Pire të Greqisë më 4 nëntor të vitit 1929, ndërsa ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. Ndërkohë, në 2017 kishte marrë shtetësinë shqiptare.