Aktualitet

Kur pritet të vaksinohen mësuesit? Manastirliu: Qendrat do përshtaten në shkolla 

Kur pritet të vaksinohen mësuesit? Manastirliu: Qendrat do

Brenda 15 marsit pritet që të gjithë mjekët dhe infermierët të jenë vaksinuar. Ata që e kanë kaluar koronavirusin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, mund ta bëjnë në një moment të dytë.

Ministrja Manastirliu nga qendra e vaksinimit në Durrës ku po vaksinohen të moshuarit, tha:

“Të gjithë mjekët dhe infermierët mbarojnë vaksinimin brenda 15 marsit. Sepse ka edhe mjekë, infermierë, të cilët praktikisht janë duke u vlerësuar që e kanë kaluar dhe mund ta bëjnë në një fazë të dytë. Pra, po bëhet një vlerësim dinamik. Janë kryer më shumë se 11 mijë vaksinime për mjekët dhe infermierët”.

Ndërsa me mbërritjen e vaksinave të AstraZeneca, do të fillojë vaksinimi i mësuesve.

“Do të fillojmë me mësuesit. Do të bëhet një vaksinim, siç e kemi menduar, në shkolla. Ndaj jemi duke përzgjedhur edhe infermierët të cilët fillojnë trajnimin brenda kësaj jave”, bëri me dije Manastirliu.

Mbi 32 mijë vaksina të Pfizer kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, ndërsa pritet të vijojë furnizimi nga kontrata direkte me Pfizer, përgjatë muajit Mars, Prill e në vijim.

Ndërsa, nëpërmjet instrumentit COVAX, pritet të mbërrijnë brenda dy javëve të para të marsit, 14,400 vaksina AstraZeneca dhe po vijojnë përpjeket për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave.