Kreshnik Bajraktari do të jetë drejtori i ri i Portit të Durrësit! Emërohen dhe dy prokurorët e rinj të SPAK
Kreshnik Bajraktari është emëruar si drejtori i ri i portit të Durrësit.
Bajraktari zëvendëson në këtë post Pirro Vengun, i cili këtë të mërkurë u betua përpara Presidentit Begaj si ministër i Mbrojtjes.
Vengu u emërua si ministër nga kryeministri Rama, i cili e njoftoi vendimin e tij gjatë Kogresit të Partisë Socialiste të mbajtur ditën e diel.
Drejtori i ri i portit të Durrësit, ka mbaruar studimet e larta në universitetin Politeknik të Tiranës. Përpara emërimit në këtë post ai ka mbajtur detyrën e këshilltarit pranë ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.
Gjithashtu Anita Jella dhe Bledar Maksuti do të jenë dy prokurorët e rinj që do t'i shtohen organikës së SPAK. Të tetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ishin të pranishëm në mbledhjen e sotme, votuan pro emërimit të Jellës dhe Maksutit.
Dy prokurorët e rinj do të ushtrojnë detyrën për një mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi.