Aktualitet

Koncesioni për Rinasin/ Rrëzohet dekreti i Metës, Balluku i përgjigjet akuzave: Nuk është marrëveshje ndërkombëtare

Koncesioni për Rinasin/ Rrëzohet dekreti i Metës, Balluku i

Me 84 vota u rrëzua dekreti i presidentit Meta për marrëveshjen koncesionare të Aeroportit të Rinasit me zgjatje prej 13 vitesh. Presidenti Meta e ktheu projektligjin në Kuvend, me një sërë akuzazh për procedura të paligjshme dhe mungesë transparence. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku iu përgjigj disa prej pyetjeve që Ilir Meta shtroi pak javë më parë:

"Ne jemi shprehur gjerësisht sa i përket këtij projektligji. Unë do të ndalesha vetëm në disa pika, sa i përket afateve të negocimit apo të disa pretendimeve të tjera të ardhura nga Presidenca. Duhet thënë se kjo nuk është një marrëveshje ndërkombëtarë por një kontratë koncesionare. Presidenca ka pasur pretendime sa i përket kohës, duhet thënë se ky negocim ka filluar që në janar të vitit 2020 dhe ka marrë më shumë kohë se normalisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Negocimi bëhet me shoqërinë aksionare dhe jo me aksionerin. Ndryshimi i aksionarëve nuk përbën ndryshimin e një shoqërie aksionare. Ne ulemi me përfaqësinë e shoqërisë aksionare. Përfitimet janë të mëdha. Tashmë me këtë kontratë, që ju duhet ta miratoni sot Aeroporti i Tiranës kalon në një tjetër stad, pasi do të listohet në një raport 4E ashtu si vendet evropiane."

Bëhet fjalë për kalimin e koncesionit të aeroportit të Rinasit tek grupi më i madh në vend “Kastrati Group”dhe zgjatjen e kontratës me 13 vite. Presidenti Ilir Meta e ka quajtur të nxituar zgjatjen e kontratës me kompaninë koncesionare të Aeroportit të Rinasit me 13 vite.

Transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe “Kastrati group” është aksioneri 100% i “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. “Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 s'e kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor.