Komenti për Reuters i ministrit italian (kunati i Melonit) për turistët që u larguan nga restoranti në Berat pa paguar

Ministri italian i bujqësisë Francesco Lollobrigida, i cili është dhe kunati i kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe po ashtu qëndroi së bashku me të dhe familjen e saj për 4 ditë në jug të Shqipërisë ka komentuar për “Reuters” faturën e kthyer në virale tashmë të turistëve italianë që ikën pa paguar në një restorant në Berat.
Rasti që duket se ka bërë kështu bujë edhe në mediat e huaja është konsideruar i sikletshëm por ministri italian thotë se ai nuk mund të përfaqësojë një komb të tërë.
“Ajo [Giorgia Meloni] ofroi të paguante faturën. Ambasadori ishte duke u kthyer për në Tiranë dhe u shpreh i gatshëm për ta bërë këtë. Disa individë të pandershëm nuk mund të vënë në siklet një komb me njerëz të mirë,” tha Lollobrigida i pyetur nga Reuters.