Aktualitet

Kodi Rrugor/ Kontrolli teknik i makinave do nisë brenda këtij muaji

Kodi Rrugor/ Kontrolli teknik i makinave do nisë brenda këtij muaji

Ndryshimet në Kodin Rrugor u miratuan në seancën e kaluar. Me këto ndryshime i hapet rruga dhënies së shërbimit për kolaudimin e makinave nga shteti. Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë me dije se kontrolli teknik do të nisë brenda këtij muaji Maj.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor pret botimin e ndryshimeve në Fletoren Zyrtare, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të publikojnë në ditët në vijim udhëzimin zbatues për kontrollin e makinave.

Ende nuk ka data, ndërsa dyert e pikës së kolaudimit në Tiranë vazhdojnë të jenë mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të sigurisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Klan, rreth 1/3 e makinave/automjeteve në Shqipëri sot qarkullojnë vetëm me vulën e pagesës së taksës së qarkullimit dhe pa formularin e kolaudimit.

Probleme jo të pakta ka me automjetet e bizneseve dhe qytetarëve që kërkojnë të udhëtojnë jashtë kufijve por iu mungon kolaudimi i makinës.

Shërbimi i kontrollit teknik, për arsyen si më sipër do ofrohet më parë për kategoritë e konsideruara si më sensitive: Transportin publik, taksitë dhe autoshkolla. Mjetet e kësaj kategorie kanë detyrimin që të bëjnë kolaudim 1 herë në 6 muaj. Pritet në vijim që të publikohen njoftime për kategoritë e tjera që do jenë në radhë.

*Tiranapost.al.