Kërkojmë zbardhjen e sulmit në Xhami. U lënduan besimtarët në këto ditë Ramazani
Pas reagimit të Imamit Ahmed Kalaja i cili shpresonte që sulmi në xhami me 5 të plagosur të mos kishte lidhje me akt terrorist, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i kërkon autoriteteve të zbardhet sa më parë kjo ngjarje.
Në reagimin e bërë publik, kreu i Komunitetit të Myslimanëve Shqiptarë, Bujar Spahiu thotë se besimtarët u lënduan në këto ditë të shenjta Ramazani.
Reagimi:
U informova nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në Xhaminë Dine Hoxha.
Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një përson i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën.
I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë.
Personi është në duart e forcave të rendit.
Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë ramazani.
Sulmi ndodhi rreth një orë më parë tek Xhamia tek Rruga e Kavajës në Tiranë.
34 vjeçari Rudolf Nikolli, nga Burreli u fut me thikë në xhami duke plagosur 5 besimtarët e rinj, mes tyre anëtarë të xhamisë.
Nikolli rezulton person në kërkim për plagosjen e një personi në mars të po këtij viti. Arsyet e sulmit nuk dihen ende. Dyshohet se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pritet ti nënshtrohet vlerësimit psikologjik para se të merret në pyetje nga policia.
Ndërkaq, të paqarta mbeten edhe arsyet se pse policia nuk ka mundur të kapë 34 vjeçarin që endej i lirë në rrugët e kryeqyteitit, gjë që mund të shmangte ngjarjen e rëndë sot në Tiranë.
*Tiranapost.al.