Aktualitet

Kërkoi lirimin nga qelia, Gjykata e Apelit lë në burg Fredi Belerin

Kërkoi lirimin nga qelia, Gjykata e Apelit lë në burg Fredi

Gjykata e Apelit ka lënë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Beleri kërkoi ndryshim të masës së sigurisë "arrest me burg" kërkesë kjo që nuk u pranua nga Gjykata.

Fredi Beleri, kandidat për Bashkinë e Himarës (dhe fitues më pas) u arrestua nën akuzën për shitblerje votash dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Në Gjykatën e Posaçme sot ishte dhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Avokati Dema pas seancës foli për mediat duke sqaruar: “Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të thërrasim shumë dëshmitarë".

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri nga ana tjetër ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.

Arrestimi i Belerit ka nxitur tension mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit kërkon lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave.