Aktualitet

Italia, vendi i parë në BE që mund të kërkojë 'Green Pass' për të gjithë punonjësit: Çfarë tregon dekreti i ri

Italia, vendi i parë në BE që mund të kërkojë

Italia mund të bëhet sot zyrtarisht vendi i parë europian që e bën certifikatën shëndetësore të Covid të detyrueshme për të gjithë punonjësit në sektorin publik dhe privat. Qeveria ka përdorur këtë plan për të përshpejtuar procesin e vaksinimit dhe të mbajë nivelin e infeksionit të ulët.

Dekreti i ri i qeverisë italiane e që pritet të miratohet në orët në vijim, kërkon që të gjithë punonjësit në të gjitha vendet e punës të tregojnë dëshminë e vaksinimit, testimit ose shërimit nga koronavirusi: Sipas skemës ‘Green Pass’.

Testet do të ofrohen falas për shërbime për ata që nuk kanë mundësi për arsye shëndetësore që të vaksinohen, ndërsa për të tjerët do të kushtojë 15 euro.

Green Pass dëshmon se personi ka marrë të paktën një dozë vaksine, ka rezultuar negativ në testin e virusit ose që është shëruar kohët e fundit, pra e ka kaluar Covid-in.

Fillimisht Green Pass u lancua për të lejuar udhëtimet pa karantinë mes vendeve anëtare të BE. Më pas u kërkua për të hyrë në muze, palestra dhe ambientet e brendshme të restoranteve.

"Vaksina është arma e vetme që kemi kundër Covid dhe ne mund të përmbajmë infeksionin vetëm duke vaksinuar shumicën e madhe të popullsisë", tha Ministrja e Çështjeve Rajonale Mariastella Gelmini.

Më 1 shtator, Italia e bëri Green Pass të detyrueshëm për mësuesit dhe stafin tjetër të shkollës, si dhe për prindërit që hyjnë në ambientet e shkollës, para se të zgjeronte kërkesën më 9 shtator për punonjësit e kompanive të pastrimit dhe hotelierisë, si dhe për ata në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Qeveria miratoi gjithashtu legjislacionin e ri javën e kaluar që deklaronte se kushdo që punon në shkolla, universitete dhe institucione të kujdesit shëndetësor dhe që nuk ka pasaportë vaksine dhe as test, mund të gjobitet me 400 deri në 1000 euro.

Italia synon të ketë 80 përqind të popullsisë mbi 12 vjeç të vaksinuar deri më 30 shtator. Shifra aktuale që nga e Mërkura qëndron në 74 përqind, sipas të dhënave të fundit të qeverisë.

Qeveria do të njoftojë vendimin final pas mbledhjes që do të zhvillohet në orën 16:00.

*Artikulli i La Repubblica përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.