Aktualitet

ISHP: Mutacionet janë mes nesh, por duam të dimë variantin

ISHP: Mutacionet janë mes nesh, por duam të dimë variantin

Virologët thonë se përhapja e ndjeshme e infeksionit dhe prekja e të gjitha moshave, janë arsye të forta për praninë e varianteve të reja të Covid edhe në vendin tonë.

Virologia e Institutit të Shëndetit Publik, Iris Hasibra thotë se tashmë nuk mund të mohohet se kemi në qarkullim variantet e reja të koronavirusit të cilat njihen për përhapje më të madhe të infeksionit në gjithë botën. Në intervistën për ABC, ajo thotë:

“Ne kemi sinjale shumë të arsyeshme dhe performancë laboratorike që kuptojmë se variantet e reja janë në qarkullim. Nuk mund ta mohoj se kemi në qarkullim variantet e reja që kanë një përhapje më të madhe në të gjithë botën”.

Këtë thonë edhe ekspertë të tjerë të ISHP, por ende nuk dihet se cili prej mutacioneve po qarkullon. Për këtë siç thekson virologia, duhen pritur përgjigjet e analizave të dërguara në Londër.

“Tashmë duhet të kuptojmë nëse kemi në qarkullim variantin britanik, apo ndonjë variant tjetër të Covid që po qarkullon në Evropë apo në botë. Tashmë presim një analizë të thellësishme gjenetike për të parë dhe efekshmërinë e vaksinës”.

ISHP ka dërguar disa javë më parë 40 mostra të të prekurve me Covid në Britani, janë mostra të marra nga të prekur në mosha të ndryshme, me apo pa histori udhëtimi jashtë vendit. Përgjigja e ekzaminimeve ende nuk ka mbërritur.

*Tiranapost.al.