Muajin e ardhshëm rriten pagat për policët, zjarrfikësit, gardistët dhe punonjësit publik

Hyn në fuqi vendimi. Muajin e ardhshëm do të rriten pagat për punonjësit e policisë së shtetit( nga policët bazë te gradat më të larta), zjarrfikësit, gardistët dhe punonjësit publik. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë.
Rama tha se rritja e pagës për punonjësit bazë të policisë do të jetë 15 për qind, ndërkohë që për ata që janë në nivel oficerësh, rritja do të jetë me 7 për qind.
“Ne sot kemi marrë vendimin që Policia e Shtetit, nivelet bazë pra të gjithë punonjësit inspektorë dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page 7%. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë 15%. Shtesa në vijim është për nivelin e mesëm. E njëjta vlen për gardën e Republikës. Kemi një shtesë për page edhe për policinë e burgjeve, për zjarrfikëse, për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin publik por edhe punonjësit mbështetës.
Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi menjëherë. Pra paga e ardhshme që do të marrin të gjitha kategoritë do të jetë e rritur sipas përcaktimeve në vendimet përkatëse”, tha Rama