Aktualitet

Humb jetën nga Covid kantautori Kujtim Prodani

Humb jetën nga Covid kantautori Kujtim Prodani

Kantautori i njohur Kujtim Prodani ka ndërruar jetë sot si pasojë e Covid-19 në moshën 57-vjeçare.

Prej disa ditësh ai ishte i shtruar në Spitalin "Shefqet Ndroqi" dhe po kurohej kundër virusit, të cilin nuk ia ka dalë ta mposhtë.

Vetëm disa ditë më parë gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe si pasojë e nevojës për oksigjen ishte shtruar në spital.

Ai dha lajmin se ishte infektuar me Covid përmes një postimi në "Facebook", ku shkroi: “Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe!”

Në prill, vetëm pak javë kur Covid-19 kishte hyrë në Shqipëri, Kujtim Prodani shkroi një këngë me titull "Ju flet Corona"! Teksti është i shkruar nga ai vetë, teksa e ka shoqëruar edhe me një video klip, ku nuk mungojnë dorezat dhe maskat.

Kujtim Prodani është këngëtar i njohur dhe autor i 57 tesksteve këngësh. Në Nëntor 2003, Kujtim Prodani mori pjesë në Kënga Magjike 2003 dhe që prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndalur për asnjë çast. Ai ishte djali i artistëve të mirënjohur Anita Take dhe Agim Prodani.